Nga BESNIK DIZDARI
“Bukurinë” e futa në thojza, “traumatiken” jo. Sepse e para nuk është mirëfilli e vërtetë, ndërsa e dyta është krejt e vërtetë. Bukuria qëndron te renditja e kreut, e më mirë me e thënë, qëndron te rivaliteti i gjysmës së skuadrave: AF Elbasani 29 pikë, Egnatia 28, Dinamo 26, Vllaznia 25 dhe Teuta 23. Çka do të thotë se nga e para deri te e pesta janë vetëm 6 pikë ndryshim.
Çka më tej do të thotë se si në asnjë kampionat tjetër në Europë, këtu në Shqipërinë tonë gjysma e skuadrave të Kampionatit kanë vetëm 6 pikë ndryshim! Pa harruar se nga kryesuesja deri te e treta janë vetëm 3 pikë ndryshim. Një rivalitet tërheqës për kreun në ecurinë e këtij Kampionati, ndonëse, siç kam shkruar me kohë, është shumë e parakohshme të përmendet kaq fort gara për titullin kampion.
Ta do mendja se ajo që duhet përmendur më shpesh, është gara për katërshen e titullit, kjo simbas idesë “gjeniale” organizative të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mirëpo, ja që javë për javë përmendet kjo “puna” e titullit kampion, edhe pse për të mbërritur jo te titulli, por te katërshja për titullin, na duhen edhe plot 21 javë kampionat. Kemi mbërritur kështu te Java 15, ku shijojmë qëndrueshmërinë befasuse të AF Elbasanit dhe shpërthimin e Dinamos në dy fitore spektakolare. Pa harruar zakonshmërinë kryesuese të Egnatias – dy herë Kampione e Shqipërisë në vetëm tre vjetët e fundit.
Dy të parat skuadra të dy trajnerëve sa seriozë në ushtrimin e profesionit të tyre, po aq të ndryshëm në anën emotive. Gvozdenovic i Elbasanit – një futbollist beogrades i mirënjohur i të famshmes Crvena Zvezda, por dhe i dy të famshmeve tona, SK Tirana e Skenderbeu i cili shpërtheu pa ndalë në gëzimin e golit përcaktues të Elbasanit tash i tij. E tjetri Ilir Daja i Dinamos – padyshim një nga trajnerët më të spikatun në Shqipëri e Kosovë, i cili ruan qetësinë e tij shembullore edhe kur skuadra e tij nuk përmbahet. Edhe këto rreshta të mësipërm përmbledhin “bukurinë” e Kampionatit të Shqipërisë 2025-2026. Mandej renditja e pesëshes së dytë që kryesohet nga Partizani.
Me një shpresë përforcimi të tij. Por mbi të gjitha me thuajse humbje shprese të skuadrës më të famshme të Kampionatit të Shqipërisë që është Sportklub Tirana – sot e vendit të fundit. Madje me një bilanc rrokullisës: 6 humbje në 7 ndeshje rresht dhe vetëm e 11 golave të shënuar në 15 ndeshje të tana! Kam përshtypjen se kjo nuk i ka ndodhur asnjëherë në krejt historinë e saj 105 vjeçare… Tash, në tanësinë e krejt pasqyrës së Kampionatit, nuk ka lojtarë që mund t’i quash “yje” si dikur. Nuk ka një ritmikë spektakolare, çka futbolli i kërkon të shfaqen çdo javë.
Nuk ka ndonjë një zbulim elementësh të rinj të “tokës arbnore” si dikur. Deri aty saqë këte javë, për të pesë ndeshjet numërova 82 lojtarë të Shqipërisë dhe “vetëm” plot 80 të huaj! Duke përfshirë si të Shqipërisë edhe lojtarët shqiptarë të jashtë kufijve të saj. Është për alarm! Ndërkaq, në ndeshjet ndoshta ka thjesht një larmi kalimesh të një stili europian nga mbrojtja në sulm. Deri diku me shtrirje topash më tepër vertikalë se horizontalë, shpesh me harkime të bukura e ndonjë gol vërtet të stilit po euroojan. Vetëm kaq. E mandej vetëm pak gola.
Eshtë një mesatare me vetëm 1.90 gola për ndeshje – ndër më të ulëtat në histori. Duke marrë vetëm tri javët e fundit, në këtë tregues kemi këtë pamje: Java 13 ka 6 skuadra që nuk shënojnë asnjë gol! Java14 ka 6 skuadra që nuk shënojnë asnjë gol! Java 15 ka 4 skuadra që nuk shënojnë asnjë gol! E, kur kujton vetëm 4 gola të shënuara në të gjitha ndeshjet e Javës 13, kjo shifër duhet të jetë një lloj “rekordi kombëtar” i historisë së Kampionatit të Shqipërisë.
Ndërkaq, ky vazhdon pra, të jetë për të 11-tin vit me radhë Kampionati i Shqipërisë me vetëm 10 skuadra. Duke pasë jashtë edhe në këtë stinë, e pakta katër skuadra të bukur katër qendrave të vjetra të futbollit shqiptar: Kavajën me Besën e saj, Korçën me Skënderbeun e tij, Gjirokastrën po me AF Luftëtarin e saj dhe Beratin po me Tomorin e vet edhe ai. Janë themelues të Kampionatit të Shqipërisë. Kësisoji, duke mos i quajtur (ndoshta me patëdrejtë) si qendra tradicionele të futbollit të Shqipërisë, edhe qytete të tjerë të tillë si Lushnjën apo Fierin e ndonjë tjetër. Kampionati i Shqipërisë është sot një kampionat traumatik.
Kur me “traumatik” nënkuptojmë një “plagosje fizike (në mjekësi) ose psikologjike (në psikologji)”. Më qartë një lloj situate të rëndë që nuk arrin t’i bëjë ballë një incidenti , çka shkakton një rënie natyrale, ankth e mërzi. Në kuptimin figurativ, përcaktimi “traumatik” nënkupton një situatë të pakëndshme që lë shêja zhgënjyese tepër thellë.
Në rastin tonë kjo është dhe shêja po traumatike që po lë Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, duke humbur skajshëm vetë sigurinë e tij. Dhe ja që nuk duket se mbaron këtu. Çka duke u ndalë përsëri te SK Tirana, për hir të së vërtetës, ajo nuk na duket të jetë e fundit, është thjesht e 10-ta. Por ja që Kampionati ka pra, vetëm 10 skuadra. Në vend që të kishte e pakta 14, siç ka patur në nja tri të katërta e historisë së tij. Pa harruar kampionate me 16 e 18 skuadra, që kanë qenë vërtet fort të bukur edha ata.
Kjo do të ndihmonte tejet sidomos skuadrat e qendrave të vërteta futbollistike, për ta kaluar krizën, duke punuar më në qetësi e larg ankthit të rënies nga kategoria. Kampionati i sotëm i Shqipërisë është një kampionat i cili midis 10-shes së tij ka e pakta tri skuadra që nuk janë qendra futbollistike, pra që në tokën e tyre nuk e kanë të zhvilluar futbollin ose që e kanë zhvilluar shumë pak në krahasim me qendrat e mësipërme të traditës. Janë skuadrat e Rrogozhinës, Vorës e Ballshit.
Pa dashur assesi të nënvleftësosh organizimin e tyre serioz, kryesisht falë një investimi financiar. Sidomos të Egnatias së Rrogozhinës e cila me këtë organizim si dhe për shkak të rënies së qendrave tradicionale të futbollit shqiptar. ajo në tri vitet e fundit është dy herë Kampione e Republikës së Shqipërisë! Kemi të bëjmë me një organizim vërtet të rrallë asisoji, kur kujton se këto tri skuadra thuajse nuk kanë asnjë lojtar që ta kenë lindur, rritur e formuar në qytetin e tyre. Si të thuash pa përhapje të futbollit në tokën e tyre, ato arrijnë të sfidojnë themeluesit tradicionalë. Për çastin ky është kampionati kur deri tani një nga 8 skuadrat më mira të tij, është kjo e qytezës së Vorës.
Dhe kur e bashkon atë me Dinamon, Partizanin e SK Tiranën, na del se 4 skuadra apo 40 përqind e pjesëtarëve të Kampionatit të Shqipërisë i ka qyteti apo rrethi i Tiranës. Dhe heshtim përballë kësaj gjeografie krejt të papranueshme të Kampionatit Kombëtar të një shteti në Europë. Kur ndërkohë ndodhë që në Kategorinë e tretë papritmas të shfaqet skuadra e një qendre plazhi, siç është ajo e Shirokës në breg të Liqenit të Shkodrës…
Së cilës këtë javë, i admirova plot 22 pikë të fituara, madje e renditur në vendin e dytë në grupin e saj.( E edhe ajo me nja 7 a 8 lojtarë të huaj në 22-shen e saj, së bashku me trajnerin po të huaj). Po aq pikë sa Besëlidhja e mirënjohur e Lezhës, e cila ka arritur të marrë pjesë edhe në Kampionatet Kombëtare të viteve ’30, kur quhej Bardhyli, por e cila ka plot 18 vjet që nuk bën pjesë në Kampionatin e parë të Shqipërisë. Kësisoj, hapësirat e traumës së Kampionatit të Shqipërisë janë vërtet të skajshëm.
Në fund të fundit le të shfaqen edhe këto skuadra pa traditë. Le të shfaqen bujshëm siç ka ndodhur me Egnatian e Rrogozhinës – dy herë Kampione Shqipërisë mbrenda tri vjetëve të fundit! Nuk mund të harrohet finalja e saj për titullin, kjo e vitit 2025 me shifrat historike 4-0 ndaj Vllaznisë së Shkodrës.
Ndonëse më shumë se kjo nuk do të mund të harrohet më e fundit, që është fitorja e Futboll Klub Vorës – siç i ka vendosë ndërkombëtarisht inicialet e saj – 2-0, me SK Tiranën mû në stadiumin me emrin e themeluesit të saj, të paharrueshmit Selman Stërmasi. Vora pra, ajo e cila kur dikur rrugës së saj kalonte autobusi i SK Tiranës, banorët e saj të shtangun e ndiqnin me sytë e admirimit të tyre.
Kjo nuk është traumatizim. Është përmbysje e pajustifikueshme e historisë. Po a thua vërtet përbëjnë bukurina këto ngjarje? Mundet. Por të vërteta ato do të jenë kur të mos kenë asisoji pranë, mû te dera e shtëpisë pra, atë, traumatiken e Kampionatit. që mund të shfaqet e pamshirshme bie fjala, si te situata e Flamurtarit të Vlorës e SK Tiranës – dy skuadrat e fundit! Teksa nuk mund të harrojmë se ato janë ndër më të historiket, pse jo, ndër më europianet e historisë sonë.
Kampionati rrezikon të humbasë kështu, qendrat e vërteta futbollistike. Kjo është mpakja historike e Kampionatit me vetëm 10 skuadra. Sigurisht nuk harrojmë se me vetëm 10 skuadra ka dhe shtete të tjera, shumica të vegjël, si edhe ndonjë jo të vogël. Por në të cilin Kampionatet e tij të kategorisë së dytë apo të tretë, i ka shumë afër në cilësi me atë kombëtar, çka ç dramatizon tejet rëniet e ngjitjet e skuadrave. Nuk po zgjatem më tej. Vetëm po më pëlqen ta mbyll me ecurinë “tërheqëse” të këtyre javëve të fundit. Mbrenda disa çastesh ra Vllaznia: 0-1 në Shkodër me Teutën, 0-0 në Shkodër me Vorën, 0-1 në Elbasan.
Shpërthen Dinamo 6-2 ndaj SK Tiranës, që kësisoj nuk e njeh historia dhe 3-0 me Flamurtarin në Vlorë. Ndonëse në krye është skuadra e Elbasanit e rikthyer në Kampionatin Kombëtar mbas një mungese 9 edicionesh. Vitin që vjen do të ketë 20 vjetorin e titullit të saj të fundit. Duket qartë që i shkon mendja ta festojë këtw jubile duke u rikthyer si Kampione e Shqipërisë në fuqi. Dhe është ky Elbasan, që ta do mendja se zë vendin e parë për praninë e spektatorëve, teksa kwtë javë pati nja 4000. Sidoqoftë, është herët të paramendojmë për këto.
Aq më tepër kur sheh se ai krejt afër ka skuadrën me emrin Egnatia, “rrugë antikiteti” që papritmas na shfaqet më moderne se asnjëherë. E prap se prap këto “bukurina” i mposht trauma e Kampionatit. Ketë javë me vështrimin e gazetarit përjetova një kritikë të rrallë prej trajnerit të Vllaznisë Edi Martini, skuadra e të cilit, ndonëse me një lojtar më pak, në pjesën e dytë të ndeshjes me ate të Elbasanit ishte gati e papërmbajtshme.
Mirëpo, ja që papritmas, dalim te arbitrat, të stepun deri dhe në njëanshmëri: kartonë të dyshimtë, të njëanshëm që mund të përcaktojnë jo pak deri rezultatin. Dhe për çudi shpesh në dëm të Vllaznisë (Gjini, por jo vetëm ai) që njihet si një nga skuadrat më “fair play”. Arbitrat! Sa pak që merremi me ta! Kishte të drejtë Martini në “kritikën” e tij, të cilën e paraqiti pa ashpërsi, madje edhe me një buzëqeshje ironike disi “zemërmirë”.
Mu kujtua futbollisti Edi Martini i një stili po aq elegant, që e pata përshkruar te shkrimi hershëm me titullin metaforik “Martiniada”. Dihet, gazetari i vjetër si puna e ime, nuk i ndahet kurrsesi historisë së shkrimeve. Ndonëse kjo lloj historie sot nuk vlen në Shqipëri. Gazetaria nuk po arrin të mposhtë prepotencën e stilit të një regjimi që për çudi nuk shfaqet vetëm në politikën qeveritare, por edhe në politikën e sporteve. “Shkodër! A nuk e kupton se nuk të duan”.