Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Burgjeve të lejojnë kryebashkiakun Erion Veliaj, që të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026.
Sipas kërkesës, pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Në kërkesë, anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik.
“Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për cdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional”, thuhet në kërkesë.
Buxheti 2026 i Bashkisë së Tiranës pritet të miratohet në mbledhjen e 18 dhjetorit, ndërsa vetë kryebashkiaku Veliaj në një letër drejtuar dy ditë më parë Këshillit Bashkiak të Tiranës i kërkonte të mos miratojë buxhetin e vitit 2026 pa u konsultuar me të.
Veliaj thotë se projekt/buxheti duhet të reflektojë prioritetet politike për të cilat qytetarët e kanë votuar, dhe se miratimi pa marrë mendimin e tij, nga struktura të deleguara përkohësisht, do të pasqyronte faktin se kryetari i bashkisë po pengohet të ushtrojë mandatin.
Kryebashkiaku Veliaj thekson se buxheti i vitit 2026, ndryshe nga kur ai ka qenë në krye të punëve, ka një nivel shumë ulët realizimi, tregues i qartë sipas tij, i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës prej qëndrimit të tij në paraburgim.
Kërkesa e plotë e Këshillit Bashkiak
Lënda: Kërkesë për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në konsultimin për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026
STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, referuar kërkesës së tij nr.42497 prot., datë 15.12.2025, për të marrë pjesë në konsultimin e PBA 2026-2028 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026.
Sipas Ligjit nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, konkretisht:
– Neni 58 pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
– Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, për çështje të interesit publik.
Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, referuar ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41, parashikon se “Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”, ju kërkojmë që nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:
lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri në 18 dhjetor 2025.
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për cdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.
Me respekt,
Këshilltarët