Rritja e rasteve me fruth në Kosovë ka sjellë shqetësime të reja në opinionin publik dhe sistemin shëndetësor. Për situatën aktuale dhe pasojat që mund të sjellë kjo sëmundje, për IndeksOnline ka folur drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Dr. Arben Vishaj.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht janë hospitalizuar disa raste me fruth në Klinikën Infektive.
“Pacientët paraqiten me ethe të larta, skuqje në lëkurë, kollë dhe ndonjëherë me komplikime serioze si pneumoni apo inflamacion të trurit,” tha Dr. Vishaj.
Sipas tij, fëmijët që nuk janë vaksinuar mbeten më të rrezikuarit, pasi fruthi mund të lërë pasoja të rënda, përfshirë komplikime neurologjike, dëmtim të sistemit imunitar, madje edhe humbje jete në raste ekstreme, transmeton IndeksOnline.
Vishaj apelon tek prindërit që të vaksinojnë fëmijët me kohë, sipas kalendarit të imunizimit, për të parandaluar shpërthime të tilla të sëmundjeve ngjitëse./IndeksOnline/