Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Sarajit garojnë katër kandidatë, por rrethi i dytë pritet të zhvillohet midis dy kandidatëve, Blerant Ramadanit nga AKI dhe Muhamed Elmazit nga VLEN. Në Komunën e Sarajit këto zgjedhje të drejtë vote kanë 34,341 qytetare. Portalb.mk ka analizuar premtimet e dy kandidatëve nga daljet e tyre mediatike.
Komuna e Sarajit shtrihet në pjesën veriperëndimore të Shkupit. Në territorin e komunës kalojnë disa rrugë të rëndësishme: hekurudha Shkup-Tetovë-Kërçovë, dhe autostrada që lidhen me pjesët perëndimore të Maqedonisë. Komuna ka pasuri natyrore mjaft të vlefshme: kanjoni “Matka”, burimi “Rashçe” që furnizon Shkupin me ujë, liqeni Treska, si dhe objekte historike dhe të trashëgimisë kulturore. Sipas regjistrimit të vitit 2021, Komuna e Sarajit ka 38.399 banorë që jetojnë aktualisht në territorin e komunës që ka sipërfaqe rreth 240 km². Numri i vendbanimeve (lagjeve/fshatrave) të banueshme në komunë: 23 vendbanime sipas burimeve të regjistrimit. Ndarja në zonë urbane dhe rurale: nga numri total, 6.265 banorë janë në zonën urbane, ndërsa pjesa më e madhe 32.134, jetojnë në zona rurale.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 21.3% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 20.5% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 17.5% arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit), me 17.1% mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës) me 16.3% korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito) dhe problemet tjera.
Disa nga sfidat që banorët e Sarajit i raportojnë e për të cilat duhet të kujdeset kryetari i ardhshëm i komunës janë: furnizimi me ujë të pijshëm, infrastruktura rrugore e pa mjaftueshme, transparenca e shërbimeve publike, problemet me deponitë, pastërtia e ambientit jetësor dhe shumë të tjera.
Zotimet e para. Si do e nisin mandatin?
Blerant Ramadani: Aplikacion “Komuna ime”, i qasshëm për të gjithë, që të raportohen problemet, por edhe sugjerimet. Me qëllim që asistenca të bëhet brenda 24 orëve.
Muhamet Elmazi: Ujë të pijshëm, për çdo amvisëri, në çdo vendbanim 24/7.
Furnizimi me ujë të pijshëm
Blerant Ramadani: Brenda dy viteve të para, do të zgjidhim të gjitha nevojat primare të Sarajit. Kjo nënkupton: furnizim me ujë të pijshëm, rregullim të kanalizimit nëntokësor fekal dhe atmosferik, si dhe rregullim të rrugicave.
Muhamet Elmazi: Premtimi im para qytetarëve është i qartë: nëse gjatë një mandati të plotë nuk e zgjidh furnizimin me ujë të pijshëm, atëherë nuk do të dal më për të kërkuar mbështetje politike.
Asfaltimi rrugëve, infrastruktura
Blerant Ramadani: Në dyvjeçarin e parë, ne do të rregullojmë të gjitha rrugët brenda vendbanimeve lokale. Shumica janë të rregulluara, mirëpo mungon aspekti i standardizimit. Ne kemi planifikuar të paktën instalimin e një korsie apo një sfere të trotuarëve, në mënyrë që fëmijët dhe gjyshërit tanë të jenë të sigurt kur ecin për në shtëpi apo në shitore për të blerë diçka për familjen e tyre.
Muhamet Elmazi: Ne kemi një plan konkret për të filluar nga vendbanimi Saraj: rruga “Dardania”, e njohur si rruga “20”, do të shndërrohet në bulevard. Për këtë kemi garanci nga Qeveria dhe Ministria e Transportit. Gjithashtu, do të hapim rrugë alternative për vendbanimet Llokë, Krushopek, Gërçec, Kondovë dhe Shishovë, duke i lidhur me unazën e qytetit.
Turizmi
Blerant Ramadani: Me pasuritë natyrore që kemi, Parkun e Sarajit, liqenin Treska për të cilin kemi një plan konkret për revitalizim, dhe liqenin Matka, vendi ynë mund të shndërrohet në një destinacion turistik për të gjithë vendin. Korridori Parku i Sarajit, Liqeni Treska, Liqeni Matka është boshti turistik që do të zhvillojmë. Jemi në fazën e projektimit të një projekti që parashikon instalimin e një linje shëtitore përgjatë lumenjve Treska dhe Vardar. Kjo do të përfshijë korsi për biçikleta dhe shtigje për shëtitje, pasi që pozicioni gjeografik është shumë i përshtatshëm, pikërisht aty ku lidhen dy lumenjtë, Treska dhe Vardari”.
Muhamet Elmazi: 350 vende parkimi dhe do të zgjidhim problemet infrastrukturore në këto zona. Çdo ditë në Matkë vijnë turistë, por mungojnë kushtet elementare për ta. Pas marrjes së mandatit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, brenda gjashtë muajve do të sjellim qartësi dhe plan konkret për zhvillimin e turizmit në Saraj.
Ndërtimet pa leje
Blerant Ramadani: Ne nuk kemi plan të prishim asnjë objekt ekzistues, por gjithashtu nuk kemi plan të japim leje për asnjë objekt të ri që nuk i plotëson dokumentacionet sipas ligjit.
Muhamet Elmazi: Hapi i parë është bashkëpunimi me Inspektoratin Shtetëror të Ndërtimit për të bërë revizion të ndërtimeve pa leje në territorin e Sarajit. Synimi im është të urbanizojmë të gjitha vendbanimet, në mënyrë që çdo qytetar të ketë të drejtën dhe mundësinë të aplikojë për leje ndërtimi.
Transport publik efikas
Blerant Ramadani: Ne do të kërkojmë patjetër nga Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrja publike që të rritet qarkullimi dhe numri i linjave të autobusëve. Gjithashtu, ne do të sigurojmë edhe minibusë të komunës, të cilët do të shërbejnë brenda fshatrave.
Muhamet Elmazi: Do bëjmë menaxhim të ri të vendbanimeve në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, për t’i përshtatur me nevojat e nxënësve dhe punëtorët e administratës.
Arsimi
Blerant Ramadani: Nëse e ndajmë sipas infrastrukturës, çështja më kryesore është ndërtimi i shkollës në Matkë dhe rekonstruktimi i të gjitha shkollave që kanë nevojë. Sa i përket cilësisë së arsimit, ne do të planifikojmë trajnime dhe bashkëpunime, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht, duke sjellë ekspertë për të trajnuar mësimdhënësit, në mënyrë që ata pastaj të transmetojnë njohuritë te nxënësit.
Muhamet Elmazi: Do të krijojmë një komision në kuadër të komunës që të filtrojë çdo punësim të ri. Synimi është të punësohen kuadro profesionistë, të bazuar në meritë dhe jo në përkatësi partiake. Në planin tim parashoh ndërtimin e katër shkollave të reja fillore: në Matkë, Shishovë, Llaskarcë dhe në Sfillarë, si dhe restaurimin e shkollave ekzistuese. Për arsimin parashkollor planifikohen tre çerdhe të reja, duke lehtësuar prindërit dhe duke ofruar kushte më të mira për fëmijët. Një nga lokacionet kryesore është në Gërçec, ku në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të ndërtohet një çerdhe moderne me kapacitet për 100-150 fëmijë. Për rininë, tashmë kemi pasur takime me kompani të inovacionit në rajon dhe kemi programe të qarta se si do t’i subvencionojmë në aktivitete të ndryshme. Qëllimi ynë është që rinia të zhvillohet dhe të ndërtojë të ardhmen e saj brenda komunës së Sarajit.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.