Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Çairit garojnë tre kandidatë, Izet Mexhiti nga VLEN, Bujar Osmani nga AKI dhe Ico Kolevski nga Partia e Punës. Rrethi i dytë pritet të zhvillohet midis dy kandidatëve nga VLEN dhe AKI. Në Komunën e Çairit këto zgjedhje të drejtë vote kanë 58,458 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e Mexhitit dhe Osmanit nga programet e tyre.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 27.3 % infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 17.2 % mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 16.9 % arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit), me 16.1 % shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 16 % korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), dhe probleme tjera me 6.4 %.
Infrastruktura
Komuna e Çairit është një ndër komunat më kaotike urbane në të gjithë vendin me shumë mbindërtime, kaos në trafik, mungesë parkingjesh, rrugë të ngushta, rrugë të dëmtuara pa mirëmbajtje dhe shumë probleme të tjera.
Premtimet në programin 2025/2029 të Bujar Osmanit për infrastrukturën:
Zgjërimi i rrugës i Cvetan Dimov: kalim nëntokësor, sheshi “Sheshi Liria” dhe parkingu nëntokësor. Rruga Xhon Kenedi: shtrirje nga Mit’hat Frashëri deri te Universiteti “Nënë Tereza”. Rruga Mit’hat Frashëri: zgjerim nga rruga Nikolla Karev deri te rruga Bosna e Hercegovina për lehtësim të trafikut. Rrethrrotullimi Xhon Kenedi: në kryqëzimin me Mit’hat Frashëri. Rruga qarkore Gazi Babë: rrugë lidhëse tranzitore drejt rrugës Nikolla Karev. Rruga Ferid Muradi: zgjerim, sinjalistikë moderne dhe rregullim kryqëzimesh. Asfaltimi i rrugëve: rikonstruksion i të gjitha rrugëve të amortizuara. Parkimi nëntokësor në Sh.F. Vasill Gllavinov & Çerdhja Borëbardhja: dy kate me 1,000 vende parkimi dhe sipërfaqe 40,000 m²; në sipërfaqe do të ndërtohen shkolla dhe kopshti.
Premtimet në programin 2025/2029 të Izet Mexhit për infrastrukturën:
Ndërtimi i parkimit nëntokësor në sheshin “Skënderbeu”. Ndërtimi i garazhit shumëkatëshe në kompleksin “Çairçanja”. Ndërtimi i garazhit shumëkatëshe në lagjen “Sauk Çeshma”. Garazh montues shumëkatëshe pranë parkingut të madh në Fushë Tophanë. Garazhe montues në kate në bulevardin “Nikolla Karev”. Garazh montues shumëkatëshe pranë sallës “Partizan”. Zgjerim i rrigës “Cvetan Dimov”. Zgjerimi i bulevardit “Mithat Frashëri”. Lidhja e rrugës “Xhon Kenedi” me bulevardin “Nikolla Karev”. Rindërtimi i rrugës ekzistuese “Maksur Sadik”. Rindërtimi i rrugëve ekzistuese. Rindërtimi i rrugëve në Çairin e Vjetër. Rindërtimi i rrugëve në “Fushë Tophanë”. Rindërtimi i rrugëve në “Teneqe Mahallë.
Mjedisi
Problemi më i madh mjedisor në Komunën e Çairit është menaxhimi i mbeturinave, të cilat shpesh grumbullohen jashtë kontejnerëve për shkak të mos pastrimit të rregullt dhe mungesës së vetëdijes qytetare, duke krijuar deponi gjithandej. Problem mbetet edhe ndotja e ajrit, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit, si dhe mungesa e hapësirave të gjelbra dhe pa, rqeve publike,
Premtimet në programin 2025/2029 të Bujar Osmanit për mjedisin:
Parkimi nëntokësor në rrugën Metodija Mitevski: tre kate me 230 vende parkimi dhe siperfaqe 9,000 m²; sipër krijohen kënde për fëmijë dhe hapësira të gjelbra. Urbanizimi i Çairit: transformim nga shtëpi individuale në ndërtesa moderne banimi, me infrastrukturë të re dhe hapësira të gjelbra.
Premtimet në programin 2025/2029 Izet Mexhit për mjedisin:
Rindërtimi i parkut “Çairi”, Mbështetja financiare për ndërmarrjen publike komunale “Shkupi i vjetër” për blerjen e pajisjeve dhe mekanizmave të reja, Instalimi i kontejnerëve nëntokësorë në të gjitha zonat e vendbanimit urban, Instalimi i kontejnerëve për selektimin dhe grumbullimin e mbeturinave, Ngritja e inciativës për favorizimin e zgjidhjeve të gjelbra në bashkëpunim me NP “Parqe dhe gjëlbërime, Instalimi i sistemit fotovoltaik.
Shërbimet komunale
Në Komunën e Çairit, ndriçimi publik është i pamjaftueshëm, pasi disa rrugë dhe lagje nuk kanë drita të mjaftueshme, ndërsa disa llamba janë të dëmtuara, gjë që ul sigurinë e qytetarëve gjatë natës. Për më tepër, shërbimet të cilat qytetarët i marrin nga kjo komunë kanë nevojë për përmirësim.
Premtimet në programin 2025/2029 të Bujar Osmanit për shërbimet komunale:
Sistem ndriçimi publik me menaxhim inteligjent për kursim energjie, siguri publike dhe kontroll në kohë reale. Subvencion për termoizolim të fasadave dhe kulmeve në ndërtesat e banimit. Subvencion për instalim ashensorësh në ndërtesat e vjetra. Panele diellore në objekte publike dhe zgjerim kapacitetesh. Ngrohje me efikasitet energjetik në objektet publike. Ndërmarrje publike për menaxhimin e pastrimit. Ndërmarrje publike për menaxhimin e ndriçimit rrugor. Ndërmarrje për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Çarshisë së Vjetër.
Premtimet në programin 2025/2029 të Izet Mexhitit për shërbimet komunale:
Rindërtimi i instalimeve eletrike në “Fushë Tophanë”. Përmirësimi i ndriçimit rrugor në Çarshi. Ndërtimi dhe mirëmbajtja e tualeteve publike në Çarshi.
Arsimi
Shkollat në Çair kanë kushte jo të mira si klasa të ngushta, pa pajisje moderne, gjë që vështirëson mësimdhënien. Vendimet për menaxhimin e shkollave dhe emërimet e stafit shpesh ndikohen nga interesa politike. Gjithashtu, mungesa e hapësirave sportive kufizon mundësitë e nxënësve për aktivitet fizik dhe përfshirje të plotë në procesin edukativ.
Premtimet në programin 2025/2029 të Bujar Osmanit për arsimin:
Rikonstruksion i objekteve shkollore, ku përfshihet rinovimi i fasadave, çative, klasave, korridoreve, nyjeve sanitare dhe sistemit elektrik. Ndërtim dhe rikonstruksion i ambienteve sportive. Biblioteka moderne dhe kënde leximi me fushatën “Lexo një libër në muaj”. Tabela interaktive në çdo klasë, për zhvillimin e aftësive digjitale. Laboratorë shkencorë STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë). Kabinete të specializuara për mësimdhënie. Klube të reja shkollore për aktivitete kreative dhe edukative. Qendër Komunale për Mbështetje Psiko-Sociale: për nxënësit, prindërit dhe mësuesit. Dhoma sensorike në shkolla, për mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta. Vendosja e ashensorëve nëpër shkolla. Teknologji mbështetëse në shkolla, që ofron përkrahje digjitale për nxënësit.
Premtimet në programin 2025/2029 të Izet Mexhiti për arsimin:
Ndërtimi i bibliotekës në lagjen Çair i vjetër”. Ndërtimi i kopshtit “Fjollëza” (degë e kopshtit “Borëbardha”). Ndërtimi i kopshtit për fëmijë “Vesëza” (degë e kopshtit “Fidani”). Ndërtimi i kopshtit për fëmijë në territorin e Komunës Karposh për nevojat e Komunës së Çairit – bashkëpunim ndërkomunal. Ndërtimi i një shkolle të re komunale. Zgjerimi i kapaciteteve të shkollës fillore “Hasan Prishtina”. Ndërtimi i sallës së re sportive për shkollën fillore komunale “Jashar Bej-Shkupi”. Shkolla të sigurta-zëvëndësimi i rrethojave dhe rregullimi i oborreve të shkollave fillore. Përmrëisimi i infrastrukturës shkollore dhe i objekteve shkollore.
Korrupsioni, nepotizmi, transparenca, llogaridhënia
Komuna e Çairit shpesh është cak i kritikave për korrupsion dhe nepozitëm, pasi punësimet dhe tenderët shpesh favorizojnë lidhjet politike në vend të meritës, duke ulur profesionalizmin e administratës. Po ashtu, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies bëhet e dukshme përmes qasjes të kufizuar të qytetarëve ndaj informacionit mbi shpenzimet dhe vendimmarrjet komunale.
Premtimet në programin 2025/2029 të Bujar Osmanit për transparencë dhe llogaridhënie:
Transparencë në mbështetje financiare për OJQ-të, nëpërmjet granteve të vogla dhe fondeve të dedikuara për sektorin civil. Qendër Resursesh në bashkëpunim me OJQ-të, një hapësirë e re për trajnime, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash. Partneritete për fonde ndërkombëtare, aplikime të përbashkëta në programet e BE-së dhe pranë donatorëve të tjerë. Këshilli Konsultativ, mekanizëm për përfshirjen e OJQ-ve dhe shoqatave qytetare në hartimin e strategjive dhe planeve komunale. Nxitje e vullnetarizmit në angazhimin qytetar dhe solidaritetitpërmes OJQ-ve. “Partneriteti për Llogaridhënie”, përfshirje e OJQ-ve në monitorimin e shpenzimeve publike dhe vlerësimin e projekteve komunale. “Buxhet për qytetarët, me qytetarët”, proces buxhetimi i hapur dhe gjithëpërfshirës me konsultime publike. Platformë digjitale për transparencë dhe qasje online në buxhet, shpenzime, prokurime dhe projekte. “Nga premtimi, te rezultati”, raporte periodike mbi performancën dhe realizimin e projekteve. Arka publike, sistem digjital me të hyrat dhe shpenzimet e komunës të publikuara në kohë reale për transparencë financiare. AI platformë inteligjente për monitorim të shpenzimeve dhe prokurimeve publike në komunë.
Premtimet në programin 2025/2029 të Izet Mexhitit për transparencë dhe llogaridhënie:
Digjitalizimi i plotë i shërbimeve komunale dhe informacioneve. Anketa digjitale dhe platforma civile për propozime dhe ankesa. Trajnimi dhe digjitalizimi i kuadrit të komunës. Publikimi i raporteve të punës së komunës.
Probleme tjera
Komuna e Çairit përballet me një sërë sfidash në sektorët kryesorë të jetës publike, si nga fusha e sportit, kulturës, rinisë, mbrojtjes sociale dhe shumë të tjera.
Premtimet në programin 2025/2029 të Bujar Osmanit nga fusha sociale, kultura, sporti dhe siguria:
Mbështetje financiare për pensionet minimale, nëpërmjet ndihmës së menjëhershme për më të prekurit. “Dora e Ngrohtë”,“Mik për të Moshuarit”, një linjë telefonike për urgjenca, këshillim dhe mbështetje sociale. Subvencione për shërbime termale dhe relaksuese për pensionistët me të ardhura minimale. “Dhuro gjak, dhuro një jetë”, një aksion solidariteti shëndetësor vjetor. Mbështetje financiare për foshnjat e sapolindura, ndihmë e menjëhershme për familjet e reja. Qendra Kulturore Multifunksionale, një hapësirë moderne për aktivitete artistike, kulturore dhe komunitare. Rivitalizimi i infrastrukturës nëpërmjet restaurimit të fasadave, kalldrëmeve, ndriçimit dhe pajisjeve urbane, sipas standardeve të trashëgimisë kulturore. Qendra Kulturore e Çarshisë do të funksionojë si hapësirë për galeri, ekspozita, punëtori artizanale dhe aktivitete të dedikuara për turistët. Zyra e Kryetarit në Çarshi, një pikë e dedikuar për kontakt mes komunës dhe bizneseve të Çarshisë.
Kënde për fëmijë në çdo lagje, ku në bashkëpunim me banorët do të krijohen hapësira rekreative për fëmijët. “Investojmë në të Ardhmen”, dedikim i 5% të buxhetit komunal për programe rinore. Bursa komunale për studentët, mbështetje për studime dhe zhvillim akademik. Biblioteka moderne, me hapësira leximi dhe mjete digjitale për të rinjtë dhe komunitetin. Programe shkëmbimi ndërkombëtar përmes Erasmus+ dhe partneriteteve evropiane. Qendër e re për inovacionin dhe nxitjen e bizneseve që do të ofrojë hapësira, mentorim dhe mbështetje për ide të reja biznesi, Grante për Start-Up: ndihmë financiare dhe mentorim për hapjen e bizneseve të reja, Programi “Hapat e Parë”: subvencion pagash për të rinjtë që punësohen për herë të parë, Platforma digjitale e Punës për Çairin, ku do të afishohen mundësi për punësim dhe trajnime, Partneritet strategjik me Odën Ekonomike Veri-Perëndimore, në mbështetje të Start-Up-eve, punësimit të të rinjve dhe zhvillimit lokal.
Fuqizimi i grave dhe barazia sociale, 50% mini-subvencione për nënat kryefamiljare në kuadër të mbështetjes financiare për stabilitet dhe mirëqenie. Shkollë komunale për zejtarinë e grave që do të ofrojë trajnim profesional për aftësi praktike dhe punësim. Treg i dedikuar për prodhime artizanale të grave, si pjesë e promovimit të prodhimeve lokale dhe trashëgimisë kulturore. Fond i dedikuar për fuqizimin social dhe ekonomik të grave në kuadër të mbështetjes së qëndrueshme për barazi dhe zhvillim.
Premtimet në programin 2025/2029 të Izet Mexhitit nga fusha sociale, kultura, sporti dhe siguria:
Festivali i traditës dhe ushqimit. Festivali i të rinjve të talentuar. Ngjarje kulturore verore në ambient të hapur. Grante dhe fonde për artistë të pavarur. Rindërtimi i sallës së sportit “Partizan”. Ndërtimi i sallës sportive shumëfunksionale “Çair”. Ndërtimi i tre këndeve të lojërave sportive shumëfunksionale: ndërtimi i këndit të lojërave sportive shumëfunksionale në lagjen “Tophanë e Vjetër”, ndërtimi i këndit të lojërave sportive shumëfunksionale në oborrin e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në lagjen “Saat Kulla” dhe ndërtimi i këndit te lojërave sportive shumëfunksionale në oborrin e shkollës fillore “Tefejuz” në lagjen “Gazi Babë”.
Qendra e të rinjve në kompleksin “Çairçanja”. Qendër për sipërmarrësi rinore. Inkubator biznesi për kompanitë “Start Up”. Fond lokal inovativ për sipërmarrës të rinj. Program për mbështetjen e grave sipërmarrëse. Rindërtimi i Q.T “Mavrovasja”. Partneritet ndërkombëtar dhe projekte për inovacione. Baza informative e ndërmarrjeve në komunë.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.