Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Gostivarit janë katër kandidatë, kryetari aktual i komunës Valbon Limani nga AKI, Sebaedin Dauti nga VLEN, Visar Ademi i pavarur dhe Darko Grujoski nga Levica. Në Komunën e Gostivarit këto zgjedhje të drejtë vote kanë 82,893 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e tre kandidatëve shqiptarë nga programet e tyre për problemet kryesore.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 21,9% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 21% korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 17,1% mjedisi (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 15,3% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 12,6 arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit) dhe problemet tjera me 12,2%.
Komuna e Gostivarit ka probleme infrastrukturore të shumta. Shumë rrugë në qytet dhe fshatra janë të dëmtuara dhe plot gropa. Trafiku është i ngarkuar dhe pa zgjidhje të plotë, nuk ka parkingje të mjaftueshme dhe rregullat e komunikacionit nuk respektohen. Problem tjetër mbetet rrjeti i kanalizimeve dhe ujësjellësit. Mungesa e planeve të detajuara urbanistike dhe ndërtimet e larta cilësohen si problem që kërkon zgjidhje.
Premtimet në programin 2025/2029 të Valbon Limanit për infrastrukturën:
Urë e re mbi lumin Vardar. Hapja e bulevardit kryesor. Parking nëntokësor pranë komunës me 250 vende. Ndërtimi i nënkalimit tokësor për autimjete dhe këmbësore si dhe parking me 300 vende në qendër. Rrugë të reja dhe rehabilitime në lagje e fshatra. Ura dhe kanalizime funksionale. Hartimi i planeve urbanistike moderne dhe transparente. Plan urbanistik për çdo lagje. Përshpejtimi i procesit të legalizimit të objekteve ekzistuese pa leje. Investime në infrastrukturë industriale (zona industriale të pajisura me rrugë, energji, ujë e internet).
Premtimet në programin 2025/2029 të Sebaedin Dautit për infrastrukturën:
Riorganizimi i trafikut me sistem rrugësh njëkahëshe dhe krijimi i një unaze të brendshme që lidh Goce Dellçev, Boris Kidriç, Marshal Tito, JNA dhe Beliçicën. Ndërtimi i Intermodal HUB pranë Bulevardit Goce Dellçev, që do të lidhë trenin, autobusin, automjetet private, biçikletat dhe skuterët, Kjo qendër do të ketë garazh publik, hapësira tregtare, turizëm dhe mundësinë e një hoteli modern. Krijimi i një sheshi të ri modern në perëndim të Goce Dellçevit, me garazh nën tokë prej rreth 250 vendesh parkimi dhe hapësira publike të gjelbëruara. Ndërtimi i një tregu të ri modern pranë rrugës Pançe Poposki, me garazh publik dhe hapësira banimi cilësore pranë lumit Vardar. Garazhe publike si pjesë e investimeve kapitale, për të liruar hapësirat e parkimit në rrugë dhe për t’i kthyer në zona për këmbësorë dhe çiklistë. Standard i ri për pajisjet urbane: ndalesa moderne për autobusë, ndriçim cilësor, stola, kosha riciklimi dhe tabela informuese.
Modernizimi i rezervuarëve të ujit, në përputhje me Direktivën e BE për Ujë të Pijshëm (98/83/EC). Zëvendësimi i tubacioneve të vjetruara, me standarde të reja që reduktojnë humbjet e ujit dhe garantojnë cilësi të sigurt. Ndërtimi i sistemeve të reja të ujësjellësit për fshatrat që sot nuk kanë qasje në ujë të pijshëm. Zgjerimi i rrjetit të kanalizimit në të gjitha zonat e pambuluara, në përputhje me Direktivën e BE për Trajtimin e Ujërave të Zeza Urbane (91/271/EEC). Zbatimi i projektit “Green Drainage”, për mbledhjen dhe menaxhimin e ujërave atmosferikë, për të ulur rrezikun e përmbytjeve. Vendosja e stacioneve të vogla për trajtimin e ujërave të zeza në fshatra, për të mbrojtur tokën bujqësore. Krijimi i një sistemi monitorimi digjital për cilësinë e ujit dhe nivelin e humbjeve në rrjet.
Premtimet në programin 2025/2029 të Visar Ademit për infrastrukturën:
Miratimi i planit gjeneral dhe planit detal urbanistik. Ndërtimi i katër parkingjeve nëntokësore. Ndërtimi i qendrës së qytetit “Tregu i Vogël i Qytetit. Shëtitore në rrugët dytësore që të sjellin në shesh (Rruga e Dibres, e Kinemasë, e Sahatit, etj.). Pishinë e mbyllur dhe akua park i qytetit. Ndryshimi i fasadave të ndërtesave kolektive. Përfundimi i rrjetit të ujësjellësit, duke siguruar ujë të pastër dhe të mjaftueshëm për të gjitha lagjet dhe fshatrat.
Mjedisi
Mbeturinat mbeten një nga problemet më të mëdha të qytetit, ata gjenden të shpërndara gjithandej në qytet, pa menaxhim adekuat. Problem tjetër janë edhe deponitë e egra. Qentë endacakë përbëjnë kërcënim për sigurinë publike. Ajri gjatë dimrit është i ndotur, ndërsa shumë hapsira publike janë të lëna pas dore.
Premtimet në programin 2025/2029 të Valbon Limanit për mjedisin:
Krijimi i parqeve të reja në çdo lagje. Mbjellja e pemëve në bulevarde dhe rrugicave të qytetit. Kontroll rigoroz i burimeve urbane dhe industriale të ndotjes. Kënde të posaçme për fëmijë. Aksione periodike të pastrimit. Plan komunal për menaxhim të rreziqeve nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, zjarrit në pyje dhe stuhitë.
Premtimet në programin 2025/2029 të Sebaedin Dautit për mjedisin:
Rritje e ndjeshme e hapësirave të gjelbra në gjithë qytetin, duke përdorur pemët për freski dhe hijëzim. Reformim i ndërmarrjes komunale të higjienës, menaxhim profesional, pajisje moderne dhe transparencë në shërbim. Pastrim emergjent i të gjitha deponive ilegale brenda vitit të parë të mandatit. Modernizim i deponisë komunale në përputhje me Direktivën e BE për Mbeturinat (2008/98/EC),ndarje, selektim, riciklim dhe depozitimi sipas standardeve. Vendosja e sistemit të riciklimit me pika të dedikuara në çdo lagje dhe fshat (plastikë, metal, letër, qelq). Ndërtimi i 3 qendrave për riciklim ku qytetarët mund të sjellin mbetje të mëdha (mobilje, pajisje elektrike, goma). Krijimi i 5 parqeve të rinj urbanë dhe ruralë dhe rehabilitimi i hapësirave të braktisura duke i kthyer në zona të gjelbra. Vendosje e gjobave dhe masave ndëshkuese për ndotësit, me inspektorat aktiv që punon çdo ditë.
Premtimet në programin 2025/2029 të Visar Ademit për mjedisin:
Studim fizibiliteti për vendosjen e pikave të mbledhjes për mbeturinat e vogla, rezidenciale, biznesore dhe industriale. Përpunimin e mbeturinave sipas kategorisë dhe madhësisë së tyre. Rehabilitimi e deponisë ekzistuese dhe vendosjen e monitorimit 24/7 me kamera për të parandaluar deponitë e egra dhe për të kontrolluar menaxhimin e mbetjeve.
Shërbimet komunale
Qytetarët e Gostivarit kanë probleme me ujin e pijshëm për shkak të mangësive strukturore të rrjetit të furnizimit. Menaxhimi i mbeturinave nuk është në nivel dhe ka nevojë për përmirësim. Në Gostivar ka zona pa ndriçim.
Premtimet në programin 2025/2029 të Valbon Limanit për shërbimet komunale:
Ndriçim publik modern për çdo lagje. Digjitalizim i plotë i shërbimeve komunale.
Premtimet në programin 2025/2029 të Visar Ademit për shërbimet komunale:
Mundësi për aplikime online për leje ndërtimi, certifikata lindjeje, certifikata martesash, dokumente identiteti dhe shërbime të tjera komunale. Mundësi për pagesa online për taksa, drita, ujë, gjoba, leje aktiviteti etj. Do të rrisim pagesat për lejet e ndërtimit dhe tatimet e pronës në mënyrë të drejtë, duke bërë që Komuna të mos jetë pronë e individëve të fuqishëm, por e qytetarëve. Krijimi i Platformës “Lagja Ime”. Iniciativa për Wi-Fi publik, programe për lehtësimin e qasjes digjitale për komunitetet e margjinalizuara, duke përfshirë edhe trajnimin digjital. Pika fizike për qasje në internet dhe shërbime dixhitale për ata që nuk kanë pajisje ose lidhje interneti në shtëpi. Qasje digjitale për të dhënat mbi pronat, planifikimin hapësinor dhe dokumentet komunale, i disponueshëm për stafin dhe qytetarët. Krijimi i një platformë web për të ofruar shërbime ushqimore, mirëmbajtjeje dhe të tjera për moshën e tretë.
Arsimi
Shkollat në Gostivar nuk kanë kushte bashkëkohore për mësim, terrenet e shkollave janë të lëna pas dore dhe pa mirëmbajtje. Edhe në Gostivar ka kritika për punësimet në arsim dhe kuadrot partiake, ka gjithashtu mungesë të stafit.
Premtimet në programin 2025/2029 të Valbon Limanit për arsimin:
Rinovime në shkollat në çdo lagje dhe fshat të Gostivarit. Ndërtimi i ambienteve të reja në çerdhet komunale dhe rinovimi i atyre ekzistuese. Furnizimi i shkollave me kompjuterë modernë dhe pajisje digjitale për çdo klasë, materiale didaktike bashkëkohore. Metoda inovative të mësimdhënies. Aktivitete shkencore, kulturore dhe sportive. Bashkëpunime me shkollat profesionale, universitetet dhe bizneset lokale.
Premtimet në programin 2025/2029 të Sebaedin Dautit për arsimin:
Rikonstruim i 10 shkollave dhe 5 kopshteve sipas standardeve të BE-së për ndërtesa efikase në energji (Nearly Zero Energy Buildings – nZEB).Pajisje me kabinete shkencore, laboratorë IT, smart board dhe pajisje digjitale në çdo shkollë. Mbështetja e Qendrës Rinore Inovative në Gostivar (Hapësira për kurse programimi, robotike, inovacion dhe ndërmarrësi.Klube për art, muzikë dhe aktivitete kreative. Fond i veçantë komunal për startup-et e të rinjve, me mbështetje financiare dhe mentorim). Ndërtimi i sallave sportive multifunksionale në lagjet urbane dhe shkollat kryesore. Kurse falas për gjuhë të huaja dhe aftësi digjitale për të rinjtë.
Premtimet në programin 2025/2029 të Visar Ademit për arsimin:
Fond për talentet e Gostivarit. Në partneritet me fondet e huaja ose kompani private, të gjitha facilitetet e shkollës do të jepen me koncesion. Përmirësimi i teknologjisë në shkolla, duke futur mësimin digjital në çdo klasë dhe duke siguruar trajnime për mësimdhënësit. Hapja e laboratorëve të rinj të pajisur për shkollat profesionale në fushat e teknikës, mekanikës, gastronomisë, IT-së dhe shëndetësisë. Organizimi i mësimit tërëditor. Program për promovimin e leximit në shkollat fillore.
Korrupsioni, nepotizmi, transparenca, llogaridhënia
Komuna e Gostivarit periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave për punësime partiake dhe nepotizëm.
Premtimet në programin 2025/2029 të Valbon Limanit për transparencë:
Krijimi i arkivës publike digjitale ku qytetarët mund të kenë qasje në dokumente. Salla e hapur e tranpsrencës në komunë. Publikimi i harxhimeve publike në mënyrë periodike dhe të qasshme. Forume publike, referendume lokale, peticione elektronike. Formimi i këshillave qytetarë tematikë. Raporte tremujore të punës së komunës.
Premtimet në programin 2025/2029 të Sebaedin Dautit për transparencë:
Platformë e hapur digjitale për komunën. Regjistër publik online për kontratat dhe shpenzimet komunale, ku çdo qytetar mund të shohë si shpenzohet buxheti. Raportim i detajuar tremujor për borxhin dhe shpenzimet e komunës. Krijimi i një Komisioni Antikorrupsion Komunal me pjesëmarrje të qytetarëve, OJQ-ve dhe ekspertëve të jashtëm. Punësime në administratë vetëm me konkurs transparent dhe meritokratik, pa ndikime partiake. Digjitalizimi i procesit të prokurimit publik.
Premtimet në programin 2025/2029 të Visar Ademit për transparencë:
Krijimi i të gjitha platformat e nevojshme web dhe komunikimi i plotë të lajmeve, vendimeve dhe aktiviteteve të ndërmarrjeve publike.
Probleme tjera
Gostivari mbetet komuna me borxhin më të madh në vend. Diskriminimi gjinor në vendimmarrje mbetet i pranishëm. Po ashtu, qyteti vuan nga mungesa e hapësirave për sport dhe rekreacion, ndërsa rinia, e cila përbën një pjesë të madhe të popullsisë, është pothuajse e papërfaqësuar në strukturat komunale dhe në vendimmarrje.
Premtime tjera në programin 2025/2029 të Valbon Limanit nga fusha e kulturës, sportit, rinisë :
Mbështetje dhe zgjerim i organizmit të festivaleve tradicionale dhe moderne. Kalendar kulturor vjetor me aktivitete në të gjithë komunën. Mirëmbajte e objekteve kulturore dhe sportive. Ndërtimi i terreneve të reja sportive dhe rekreative. Hapja e qendrave rinore multifunksionale. Ndërtimi i një pishine moderne me standarde evropiane. Krijimi i qendrave mbështetëse për bizneset. Tregje të organizuara për prodhuesit vendorë. Investimi në infrastrukturën turistike; rrugë të përmirësuara drejt zonave turistike. Zhvillimi i turizmit malor. Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare.
Premtimet në programin 2025/2029 të Sebaedin Dautit nga fusha e kulturës, turizmit, rinisë:
Organizim i festivaleve rinore (muzikë, film, letërsi).Hapësira kulturore të rinovuara për ekspozita dhe aktivitete të të rinjve. Ndërtimi i një qendre banimi moderne për të moshuarit në Gostivar, sipas standardit evropian për kujdes afatgjatë. Zhvillim i një zone të re për investitorë vendas dhe të huaj, me lehtësime tatimore dhe administrative. Rivitalizimi i Qendrës Rinore të Gostivarit. Platformë digjitale për shitjen e produkteve vendore në diasporë.
Premtimet në programin 2025/2029 të Visar Ademit nga fusha e zhvillimit ekonomik, mërgatës, grupet e margjinalizuara, turizmi, bujqësia, kultura:
Platforma më e madhe e sipërmarrësisë në Ballkan (Gostivar Start-Up Hub, Gostivari Ecen Shpejt. “Engjëjt e Gostivarit” – Program për financimin e start-up-eve). Krijimi i një “Endowment Fund” ose Fondi Dhurimi. Fond Zhvillimor Lokal. Qendër për mbështetjen e bizneseve lokale. Eventi “Ditët e Diasporës në Gostivar”. Krijimi i Techno-Parkut industrial ‘INO-VAR. Fuqizimi i qendrës multifunksionale rinore, ku ofrohen trajnime, këshillime profesionale, programe sociale dhe mbështetje psikologjike. Mekanizma per te lehtësuar jetën e grupeve me te margjinalizuara siç janë personal me aftësitë posaçme, pensioniste, dhe grupe etnike te pakicave. Krijimi i një kooperative që bashkon fermerët lokalë. Hapja e një qendre komunale që ofron trajnime profesionale falas. Zhvillimi i një marke lokale për prodhimet bujqësore dhe organike të Gostivarit. Ndërtimi i një tregu të përhershëm dhe modern në Gostivar, ku fermerët do të shesin direkt produktet e tyre. Rruga Agroturistike e Gostivarit. Platformë digjitale “Vizito Gostivarin”. Përkrahja e festivaleve lokale ekzistuese. Mbështetje financiare për ferermerët e rinj.