Këtë të enjte skuadrat shqiptare do zbresin në fushë për ndeshjet e para në turin e dytë kualifikues të Conference League. Dinamo, Vllaznia dhe Egnatia kanë përballë kundërshtarë jo të lehtë, teksa vetëm shkodranët luajnë në shtëpi.
Skuadra e Vllaznisë pret në “Loro Boriçi” ekipin islandez të Vikingur Reykjavik. Ndeshja merr jetë në orën 20:30 dhe pritet me interes nga tifozët, të cilët nuk patën mundësi të shihnin në shtëpi ekipin gjatë turit të parë, aty ku në dy takime ekipi i Edi Martinit kaloi letonezët e BFC Daugavpils. Në kampin shkodran e dinë mirë se rivali është i fortë dhe në konferencën për shtyp trajneri Martini dhe se të tijtë nuk janë favoritë.
Ndryshe është situata për Dinamon. Të besuarit e Ilir Dajës luajnë kundër Atletic Escaldes në orën 16:00 në Andorra. Me emra të rinj në ekip nga merkato dhe me disa largime, “Blutë” e kanë provën e parë në Evropë dhe duan të bëjnë një paraqitje të mirë.
Egnatia luan në fushën neutrale të Mezokovesd (Hungari) kundër Dinamos së Minskut. Duke qenë se UEFA nuk lejon ndeshje në Bjellorusi për shkak të ky vend mbështeti Rusinë në sulmet kundër Ukrainës, sfida do luhet në fushë neutrale. Kampionët e Shqipërisë duan të bëjnë një paraqitje të ndryshme nga turi i parë i Champions League, ku u eliminuan me turp. Sfida merr jetë në orën 20:45.
Në orën 21:00 në Irlandën e Veriut skuadra e Prishtinës luan kundër Larne, ndërsa po në 21:00 Decic i Tuzit pret austriakët e SK Rapid.
Egnatia kërkon ‘pastrimin’, Edlir Tetova: Duam të kalojmë në turin e tretë të Conference League
Turpërimi 5-0 nga islandezët e Breidablik dhe eliminimi nga Champions League që në turin e parë kualifikues ka lënë shenjë te Egnatia. Rrogozhinasit, kampionë të Shqipërisë, kërkojnë të “lëpijnë plagët” dhe detyra është sot për një rezultat pozitiv kundër Dinamos së Minskut në fushën neutrale të Mezokovezd në Hungari. Kundërshtari është në aktivitet dhe me emër, por trajneri Edlir Tetova kërkon kalimin në turin e tretë të Conference League. Sfida merr jetë në orën 20:45 dhe Egnatia ka për detyrë të tregojë një tjetër fytyrë nga ajo e turit të parë në Champions League.
“-Si ka qenë udhëtimi dhe si është akomoduar grupi në prag të kësaj ndeshjeje të rëndësishme evropiane? Si është gjendja psikologjike?
Udhëtimi ka qenë shumë i përshtatshëm, kemi ardhur që ditën e hënë në Hungari. Jemi stërvitur këtu në kushte të mrekullueshme. Theksin e punës e kemi vendosur edhe tek ana psikologjike. Klubi mendoi që do të ishte më mirë akoma të vinim këtu tre ditë përpara ndeshjes.
-A ka rikthime të rëndësishme në skuadër për këtë takim, si paraqitet gjendja fizike e lojtarëve?
Nga pezullimi prej kartonit të kuq rikthehet Lushkja, por jemi të detyruar të bëjmë pa dy lojtarë të tjerë, Ndreca dhe Leo Melo. Gjendja fizike është e mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur më mbrapa po shkojnë drejt normalizimit të formës sportive.
-Çfarë dinamikash prisni nga Dinamo Minsk si kundërshtar dhe cilat janë pikat që keni evidentuar gjatë analizës së tyre?
Bjellorusët janë një skuadër e fortë fizikisht dhe në ritëm kampionati kombëtar, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën.
-Cili është objektivi i Egnatias për këtë sfidë, vetëm një rezultat pozitiv, apo mendoni edhe për menaxhimin e dy ndeshjeve të turit?
Ne kemi si objektiv të kalojmë në raundin tjetër duke bërë më të mirën në fushë, të gjithë bashkë”, tha Edlir Tetova.