Pavarësisht sfidave të shumta në jetë, Artan Kaja e ka pasur gjithmonë pikturën jo vetëm frymëzim, por edhe shkëputje nga realiteti i përditshëm, terapi dhe mik të pandarë.
Artan Kaja është një ndër peizazhistët më të veçantë të qytetit të Pogradecit. I diplomuar në Akademinë e Arteve e më pas i rikthyer në vendin ku është rritur, ai ka ndjekur pa ndërprerë pasionin e tij.
Punën e nis herët në mëngjes. Del nga studioja që ndodhet afër bregut të liqenit e niset drejt pikave që ai ka përzgjedhur për t’i hedhur në telajo.
Vendndodhja e radhës janë kodrat e Pogradecit. Në fokus do të jetë Guri i Kamies, monument natyror kombëtar. Ndryshe nga kolegët e tij, Kaja zgjedh që pavarësisht kushteve klimaterike t’i kryejë pikturat në terren, duke e ndjerë kështu “për së gjalli” frymëzimin e tij artistik, i cili shëtit bashkë me poetin në të gjitha pikat kryesore të zonës, madje edhe atje ku nuk shkelet shpesh nga vendas dhe vizitorë.
Promovon po aq shumë turizmin, sa dhe përfaqëson denjësisht qytetin me peizazhet e tij, të cilat sot kanë shkuar në shumë vende të ndryshme të botës.
Nuk mungojnë as kërkesat absurde, për portrete por pa model, thjeshtë të imagjinuara, të cilat Artan Kaja i përgjigjet pozitivisht dhe me pak humor.
Sakrificat për artin Bio, ndonjëherë shkaktojnë edhe incidente apo surpriza nga tekat e motit, por kjo nuk bën që piktori pogradecar, me origjinë nga Dibra të tërhiqet. Në të shumtën e rasteve, Artani lëviz në këmbë edhe në distancat më të largëta, pa një mjet të tijin, apo duke ndeshur mjete të rastësishme për t’i shkuar peizazhit afër dhe për të kapur momentet më të bukura të natyrës në zonat e Pogradecit.
Pavarësisht sfidave të shumta në jetë, gjithmonë pikturën e ka pasur jo vetëm frymëzim, por shkëputje nga realiteti i përditshëm, terapi dhe mik të pandarë.
Artani e mbyll kavaletin pasi ka mbledhur të gjitha ngjyrat e natyrës dhe i ka derdhur në telajo, për të përjetësuar momentet e veçanta të një dite apo një vendi.
SI.E./S.B/Shqiptarja.com TAG: piktura Korce pogradec Artan Kaja