Pogradeci nuk ka humbur kohë pas largimit të trajnerit Ardian Mema. Drejtuesit e klubit kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin e tij, dhe “Panorama Sport” mëson në mënyrë ekskluzive se Emiljano Çela do të jetë trajneri i ri i skuadrës liqenore. Çela merr përsipër realizimin e misionit madhor të drejtuesve, për të cilin u investua shumë gjatë merkatos së verës: ngjitjen e Pogradecit në Kategorinë Superiore.
Trajneri i ri pritet të marrë sot frenat e skuadrës, ndërsa bashkë me të do të jetë edhe ndihmësi i tij besnik, Bekim Kuli. Kjo dyshe trajnerësh ka nisur sezonin 2025-2026 në krye të pankinës së Besës, por pas dy barazimeve të para, drejtuesit kavajas vendosën largimin e Çelës dhe Kulis, duke i besuar drejtimin e skuadrës Shpëtim Duros.
Emërimi i Çelës në krye të Pogradecit, përveç rikthimit të eksperiencës në pankinë, sjell edhe një përfitim financiar për presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili, pasi ndërpritet pagesa për ish-trajnerin. Edhe pse është vetëm 40 vjeç, Emiljano Çela ka një eksperiencë të konsiderueshme në trajnim. Ai ka drejtuar më parë Kastriotin, Flamurtarin, Kukësin dhe Besën, duke treguar aftësi taktike dhe kapacitet për të motivuar lojtarët.
Drejtuesit pogradecarë besojnë te grinta dhe profesionalizmi i tij dhe shpresojnë që dyshja Çela-Kuli është zgjedhja e duhur për të arritur objektivin madhor, edhe pse diferenca me Skënderbeun, lider i renditjes, është -8 pikë.
Megjithatë, vendi i dytë mbetet i kapshëm, pasi Pogradeci është vetëm dy pikë larg dyshes Laçi-Iliria. Debutimi i trajnerit Çela do të jetë në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, ku Pogradeci pret në shtëpi Delvinën. Ndërkohë, në kampionat, për një ironi të fatit, dyshja Çela-Kuli do të përballen me ish-skuadrën që i largoi në fillim të sezonit, pasi më 19 tetor Besa pret Pogradecin në fushën e Luzit.
Me eksperiencën dhe strategjinë e tij, Çela synon të rimëkëmbë Pogradecin dhe ta çojë skuadrën drejt suksesit të madh që tifozët presin: rikthimin në Superligë. Drejtuesit, lojtarët dhe tifozët presin me padurim debutimin e tij, duke shpresuar që ky ndryshim në pankinë të sjellë rezultatin e dëshiruar.