Superliga shqiptare e futbollit është në raundin e shtatë. Të diel në orën 17:00 është programuar sfida mes Flamurtarit dhe Partizanit, e cila luhet në Vlorë. Pas ‘furtunës’ në kampin e Partizanit që erdhi si pasojë e humbjes 3-0 në derbin kundër Tiranës, ujërat duket se janë qetësuar dhe klubi i besoi rolin e trajnerit Oltijon Kërnajës.
Shkarkimi i Milinkovic erdhi para pushimit të kombëtareve dhe 37-vjeçari tropojan pati disa ditë më shumë në dispozicion për të vendosur idetë e tij në fushë.
Në prag të sfidës, Oltijon Kërnaja doli para medieve dhe dukshëm i gëzuar tha se të gjithë trajnerët do donin të ishin në vendin e tij.
“Ne në sport për këtë jetojmë, punojmë, që të kemi këtë fat. Thuajse çdo trajner në Shqipëri do të dëshironte të ishte sot në vendin tim. Nuk mund t’i thoja jo një klubi të madh si Partizanit. Me presidentin Demi, bashkë me gjithë stafin, kemi vazhdimisht takime dhe bisedime. Me presidentin kemi folur për mbarëvajtjen e çdo gjëje, presidenti vjen çdo ditë dhe shikon stërvitjet. Bisedat janë konfidenciale dhe nuk mund t’i themi.
Ndryshimet – Në momentin që nuk ka rezultate, i pari që duhet të ndryshohet është sigurisht trajneri. Nuk mund të ndryshohen 25 lojtarë, lojtarët aty janë. Kemi ndryshuar ndonjë qasje, pjesa tjetër është po e njëjta, nuk është se do bëj ndonjë gjë ndryshe nga të tjerët. Partizani do ndryshojnë vetëm rezultatet, duke filluar nga qasje e ndeshjes, stërvitjes. Mënyra e stërvitjes janë thuajse gjithandej të njëjta.
Flamurtari dhe gjendja e skuadrës – Shkojmë për 3 pikët. Obligim në çdo ndeshje të Partizanit janë 3 pikët kundër çdo kundërshtari. Vetë emri i madh i ekipit dhe investimi, nuk na lejon për rezultat tjetër përveç fitores. Falë zotit jam prej 3 muajsh pjesë e klubit. I njoh thuajse të gjithë. Dëmtime nuk kemi, janë rikthyer të gjithë. Po vijnë në formën më të mirë edhe Sembene me Skukën. Na ka shërbyer për të ndryshuar diçka në manovra, të ndryshme nga herët e tjera. Kjo ka qenë arsyeja që na ka shërbyer shumë 2 java e ndërprerjes prej kombëtares.
Objektivi – Ne kemi objektiv sfidën e ditës së nesërme si fillim, pastaj do mendojmë për ndeshjen tjetër. Si fillim do fitojmë ndeshjen në Vlorë, të rikthehemi njëherë te rezultatet pozitive. Na mungojnë shumë, u bënë pesë ndeshje kampionati që ne nuk marrim rezultat pozitiv. Duhet të rikthehemi në Vlorë në fillim, pastaj të shikojmë ndeshjet e tjera.
Pse fiton Partizani nesër në Vlorë? Partizani ka më tepër se Flamurtari besoj shpirtin e garës, dëshirën për ta fituar, ambientet si i shikoni ju, klubin, një president të shkëlqyer, staf, besoj i ka të gjitha më shumë se Flamurtari”, tha Kërnaja.
Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, Partizani me vetëm katër pikë ndodhet në vendin e parafundit (9), ndërsa Flamurtari me dy pikë mban vendin e fundit. ‘Dueli i krizës’ pritet me interes nga të dyja klubet, por interesant është fakti se si Oltijon Kërnaja te Partizani ashtu edhe Francesco Moreiro te Flamurtari do debutojnë në stolat respektivë. Dyshja sezonin e shkuar ishte pjesë e Laçit, me Kërnajën si ndihmës të italianit.