Ministria e Ekonomisë kërkon 12 milionë euro shtesë për vitin 2026 për të paguar pensionet, pasi pret që kontributet të jenë të pamjaftueshme për të paguar të gjithë pensionistët. Në dokumentet zyrtare thuhet se të ardhurat që do mblidhen nga sigurimet vitin e ardhshëm do të mjaftojnë vetëm për 75% të shpenzimeve për të shlyer pensionet.
Kontributet gjithnjë e më shumë nuk mjaftojnë për të paguar të gjithë pensionistët në vend. Ky problem rrezikon të thellohet edhe më shumë në vitet në vijim, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore e për pasojë nuk rritet numri i kontribuuesve.
Ministria e Ekonomisë parashikon që të ardhurat që do të mblidhen në vitin 2026, nga sigurimet shoqërore do të jenë edhe më të ulta se aktualisht për të mbuluar shlyerjen e pensioneve mujore.
Në programin Buxhetor afatmesëm, ministria thotë se të ardhurat që do të mblidhen do të mbulojnë vetëm 75% të shpenzimeve për pagesën e pensionistëve, nga 76% që është niveli i këtij viti. (Pra nëse shpenzimet do të jenë 100 lekë, të ardhurat do të jenë vetëm 75 lekë). Deri në vitin 2028 është parashikuar që të ardhurat të mbulojnë vetëm 73% të shpenzimeve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave buxheti për programin ‘Sigurimi shoqëror’ në 2026-ën do të jetë 463 milionë euro nga 408 milionë euro këtë vit, duke dëshmuar nevojën që do të ketë skema e pensioneve për financim nga buxheti i shtetit për shkak të deficitit që vijon.
Megjithatë edhe kjo rritje për Ministrinë e Ekonomisë nuk mjafton pasi kërkon rritje të shpenzimeve të planifikuara për ‘Sigurimin Shoqëror’ vitin e ardhshëm me afro 12 milionë euro për të mbuluar diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve të skemës së Pensioneve publike. Pra të ketë në total 485 milionë euro.
Për të paguar pensionet e 100 qytetarëve sot kontribuojnë 117 punonjës. Ky nivel nuk është i mjaftueshëm për të shlyer pensionet për 721 mijë pensionistë që ka Shqipëria dhe për këtë arsye prej 1 dekade, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit. Vjet nga buxheti i shtetit dolën 135 milionë euro për të mbuluar deficitin ose 0.54% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Përveç emigrimit, rënies së lindshmërisë që po reflektohen në treg me mungesë punonjësish edhe punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave, po ndikojnë në skemën e pensioneve pasi mos deklarimi real ul vlerën e kontributeve që paguhen.
RAPORTI KONTRIBUES-PËRFITUES
Kontribuues 843,867 persona
Pensionistë 721,398 përfitues
Raporti 1.17 punonjës=1 pension
BUXHETI I SIGURIMEVE SHOQËRORE
Viti 2025 408 mln euro
Viti 2026 463 mln euro
Rritja +55 mln euro
Shënim: Programi “Sigurimi Shoqëror” mbulon me fonde transfertat për individët nga pensionet publike, nga përfitimet në rastet e paaftësisë së përkohshme për punë, nga përfitimet në raste barrëlindje, nga përfitimet në raste të aksidenteve në punë, nga përfitimet e kompensimeve të ndryshme të shpenzimeve nga rritja e çmimeve, nga përfitimet nga sigurimet suplementare, ne momentin e lindjes së te drejtës dhe nevojës për to. Gjithashtu, programi mbulon mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave nga kontributet e fermerëve dhe të siguruarve vullnetarisht, administrimi i kontributeve dhe i transfertave me destinacion nga buxheti i shtetit në buxhetin e ISSH, si dhe administrimin e të gjithë informacionit që lidhet me të drejtat e fituara të kontribuuesve në skemën e sigurimit shoqëror të detyrueshëm dhe suplementar.