Dega e PDK-së në Fushë Kosovë ka reaguar ndaj deklaratave të Xhevrie Ademit për Rifat Jasharin, duke shprehur, siç thuhet, “indinjatën dhe shqetësimin e thellë” për gjuhën e përdorur ndaj anëtarit të familjes Jashari.
Në reagim, PDK vlerëson se “figura e Rifat Jasharit dhe sakrifica e familjes Jashari përbëjnë një vlerë të shenjtë për kombin tonë dhe për Republikën e Kosovës”, duke shtuar se sulmet verbale ndaj familjes janë të papranueshme.
Partia kërkoi nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës dhe dega e Lëvizjes Vetëvendosje të distancohen nga deklaratat e Ademit dhe të kërkojnë falje publike.
“Heshtja përballë një gjuhe të tillë do të interpretohet si tolerim ose mbështetje e saj”, thuhet në reagim.
PDK-ja theksoi se do të vazhdojë të mbrojë “vlerat kombëtare, respektin institucional dhe kulturën e komunikimit publik”, duke kundërshtuar normalizimin e gjuhës së urrejtjes në jetën politike dhe shoqërore.