Kjo deklaratë u kundërshtua nga kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski. I pyetur nga gazetarët ai tha se “lufta nuk mund të jetë e arsyeshme dhe e drejtë teksa anëtarët e MPB-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes u vranë në mënyrë tinëzare në një pritë. Të paktën jo në Maqedoni. Unë nuk komentoj për fqinjët” – tha kryeministri i RMV.
Mickoski u bëri thirrje “të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë kartën e (partisë opozitare shqiptare) BDI-së dhe atyre që duan të na kthejnë 25 vjet prapa”. Kryeministri vlerësoi se në këtë vend këto tema janë pjesë e së kaluarës dhe se janë mbyllur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001, dhe me ndryshimet e fundit në Ligjin për përfaqësim të barabartë, i cili është në Komisionin e Venecias.
Ndryshe mendon BDI sipas së cilës, deklarata e Mickoskit është e papranueshme.
“Deklarata e Kryeministrit për Luftën e UÇK-së është fyerje e drejtpërdrejtë për shqiptarët dhe për historinë e drejtë të demokracisë në vend. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka qenë e drejtë, e shenjtë dhe vendimtare për demokratizimin e shtetit, për kthimin e paqes, për trajtimin e barabartë të të gjitha komuniteteve dhe për arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, marrëveshje që vetë Kryeministri sot e sulmon, si me platformën e tij politike, ashtu edhe me praktikat e përditshme të qeverisjes” – thuhet në deklaratën e partisë së drejtuar nga Ali Ahmeti.