Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski vlerëson se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka ndaluar që në vitin 2013 dhe se qytetarët e rajonit po “gënjehen” lidhur me perspektivën evropiane. Në një intervistë për Koha Cast në Gazetën Koha, Nikollovski tha se zgjerimi i BE-së praktikisht ka përfunduar me anëtarësimin e Kroacisë në vitin 2013 dhe se mundësia e vazhdimit të tij mbetet vetëm teorike, raporton Portalb.mk.
“Njerëzit po gënjehen në mënyrë të pandershme, dhe ajo që po ndodh është një përpjekje për të gënjyer njerëzit në të gjithë rajonin. Lidhur me zgjerimin, situata është e qartë. Ai u ndal në vitin 2013 me Kroacinë. Mundësia e vazhdimit, sipas mendimit tim, është e barabartë me teorinë. Jo për hirë tonin, por për situatën e brendshme në BE. Nëse do të ishte e kundërta e asaj që po them unë, trembëdhjetë vjet është periudhë e mjaftueshme, nga viti 2013 deri në vitin 2026, që ajo që po them unë të demantohet”, deklaroi Nikollovski.
Ai shtoi se pesë nga gjashtë vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian nuk janë të gatshme për zgjerim, duke argumentuar se ky është problemi kryesor që pengon avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit.
“Gjashtë vendet më të fuqishme në BE, nga gjashtë më të mëdhatë, 5 nuk janë gati për zgjerim, vetëm Polonia është “pro”. Dhe ky është thelbi i problemit”, tha Nikollovski.
Deklarata vjen në një periudhë kur Maqedonia e Veriut po përballet me sfida serioze në procesin e integrimit evropian, ndërsa vendi vazhdon të presë hapjen efektive të kapitujve negociues. Megjithatë, deklaratat e Nikollovskit bien ndesh me qëndrimet zyrtare të institucioneve evropiane, të cilat vazhdojnë të përsërisin se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, edhe Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në negociatat me BE-në dhe konsiderohet ndër vendet më afër avancimit në procesin e anëtarësimit. Po ashtu, në rajon po flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë që Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian, pasi është ndër vendet që ka avancuar më së shumti në negociata.
Maqedonia e Veriut nga ana tjetër, mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.