Shqyrtimi i Raportit për Maqedoninë është shtyrë për më 24 qershor.
Propozimi erdhi nga raportuesi për vendin, Tomas Vajc, i cili ishte në shënjestër të kritikave nga kolegët eurodeputetë bullgarë.
Vajc, në fillim të debatit në komision në Parlamentin Europian, theksoi se janë zhvilluar debate intensive politike për këtë raport, por qëllimi i tij nuk është të zgjidhë mosmarrëveshje dypalëshe.
“Unë qëndroj plotësisht pas Raportit tim. Të gjitha grupet ishin të përfshira në negociata, të gjitha grupet morën pjesë në formimin e këtyre kompromiseve. Ky është një Raport i Parlamentit Europian dhe i Bashkimit Europian për vendin që është në proces të anëtarësimit, e në këtë rast ajo është Maqedonia e Veriut. Ky Raport nuk ka për qëllim, nuk ekziston për të zgjidhur çështje dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Tomas Vajc, raportues për Maqedoninë.
Autoritetet vendase prisnin që Raporti të miratohej, veçanërisht sepse Vajc kishte theksuar ekzistencën e një identiteti dhe gjuhe të veçantë maqedonase. Megjithatë, eurodeputetët bullgarë presin një hetim mbi rrethanat në të cilat Vajc e ka shkruar Raportin. (Tv21)