Pesë vitet e fundit, shumë dibranë të cilët kanë fuqi blerëse – kanë blerë banesa në Shqipëri. Investimet e dikurshme të dibranëve në Strugë, Tetovë apo Shkup tashmë janë drejtuar përtej kufirit, drejt bregdetit shqiptar. Por dy vitet e fundit vërehet edhe një dukuri tjetër kur është në pyetje investimi i mërgimtarëve në banesa. Dhjetëra mërgimtarë dibranë vetëm për dy vite kanë blerë mbi 40 banesa në qytetet turistike në Shqipëri siç është Durrësi, Shëngjini dhe Velipoja. Është një dukuri tanimë e njohur meqë gjatë vizitave që i bëjnë vendlindjes – Dibrës, mërgimtarët sidomos nga SHBA-ja, por edhe nga Evropa, pushimet i kalojnë në bregdetin shqiptar. Pikërisht kjo ndikon edhe në investimin që bëjnë ata duke blerë banesa në qytetet turistike të Shqipërisë. Kur jemi tek blerja e banesave në Shqipëri, duhet të potencojmë se vazhdon me një dinamikë edhe blerja e banesave nga ana e dibranëve edhe në Dibër.
Bëhet fjalë për një dukuri e cila siç kalojnë vitet e ajo merr përmasa masive. Të dhënat jozyrtare të shoqatave dibrane tregojnë se në qytete të Shqipërisë – banesa kanë afër 300 dibranë.
Në bisedën që patëm me bashkëqytetarë, të cilët tanimë kanë shitur banesat që kanë patur në Strugë dhe Tetovë dhe kanë blerë banesa në Durrës, Shëngjin dhe Tiranë, u informuam se më qenësore është të kesh banesë në vendet turistike të Shqipërisë sesa këtu. Takuam Afrimin, një mërgimtar dibran që jeton në Nju Jork. Para një muaji thotë se ka blerë banesë në Durrës dhe është shumë i kënaqur me investimin që ka bërë. Ka blerë një banesë dydhomëshe, dhe pas ardhjes në Dibër, pikërisht në Durrës i kalon pushimet verore.
“Pas bisedave që patën në familje, vendosa të blej banesë në Durrës. Ajo është në afërsi të plazhit të madh, respektivisht në afërsi të hotelit Adriatiku. Edhe disa ditë jam këtu në Durrës dhe pastaj shkoj në Dibër. Do të vie këtu djali i madh me nusen, kështu që e shfrytëzojmë e gjithë familja apartamentin”, thotë Afrimi.
Shqipëria ka një bregdet fantastik dhe vendosa që të blej një banesë në Shëngjin, na tregon Agrin F. Nga Dibra, por që jeton dhe vepron në Gjermani. Ai na tregon se pas ardhjes në vendlindje, ka patur dëshirë të blejë banesë në Shqipëri. Dhe ashtu ka ndodhur. Banesa e tij, siç tregon, është në qytetin turistik të Shëngjinit. Por, përveç mërgimtarëve, edhe këtë verë ka patur dibranë vendor që kanë blerë banesa në Shqipëri.
“Vlora është një perlë në bregdetin shqiptar, prandaj edhe u përcaktova që banesë të blej në këtë qytet. Shokët e mi dibran kanë banesa – njëri në Tiranë tjetri në Durrës”, thotë Besimi nga Dibra.
Kohëve të fundit janë të rrallë dibranët që blejnë banesa në Strugë, Tetovë dhe Shkup. Pjesa dërmuese investon në banesa në Shqipëri.