Në Finiq janë djegur disa banesa. Zjarri ndodhet në zonën e malit. Në Gramsh, në Sojnik, u dërguan helikopterë çekë dhe sllovakë. Emiratet e Bashkuara kanë sjellë edhe dy helikopterë Black Haëk. Te Syri i Kaltër u evakuuan vizitorët nga parku kombëtar. Jashtë kontrollit situata është edhe në Poliçan të Beratit duke rrezikuar dy fshatra. Edhe në Gramsh flakët kanë marrë përmasa të mëdha.
Shqipëria vijon të jetë në luftë me flakët e zjarrit prej disa ditësh për shkak të temperaturave të larta dhe erës në zona të caktuara që i favorizon. Situata më problematike paraqitet në jug të vendit. Në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, ku situata është rënduar, janë evakuuar vizitorët. Qarkullimi Muzinë-Sarandë është mbyllur pasi flakët gjigande kanë zbritur deri në rrugë.
Ndërkohë një vatër zjarri ka rënë edhe ndërmjet fshatrave Janjar dhe Ninat të Konispolit, ku rrezikohet një stan me 350 bagëti të imta dhe dy sipërfaqe të mbjella me ullishte dhe arra.
Situata më e rëndë vijon të jetë edhe në Finiq, ku për ditë me radhë zjarri kalon nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Momentalisht zjarri ka kaluar në fshatin Krane, të njësisë administrative Mesopotam.
Në Poliçan të Beratit zjarri marrë përmasa të mëdha në mal. Deputeti Erjon Braçe e konsideron si zjarrin më të madh që ka rënë ndonjëherë në këtë zonë.
Gjithashtu, në pyjet e Gramshit është shfaqur një tjetër vatër zjarri tepër agresive mbi fshatin Sojnik që është përhapur deri në fshatin Snosëm dhe rrezikohen banesa.
Në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha, ku flakët rrezikojnë shumë shtëpi.
Edhe në fshatin Krongj të Finiqit është riaktivizuar vatra e zjarrit, e për pasojë janë evakuuar banorët.
Në zonën e mbrojtur “Rëzom” të njësisë njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës që lidh Sarandën me Gjirokastrës, ka një vatër zjarri. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja nga toka.
Në fshatin Bolenë të Himarës ka vatër zjarri, ku forcat operacionale, të ndihmuar edhe nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e flakëve.
Në fshatin Lukovë të Himarës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë, Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij. Gjithashtu ka operuar edhe avioni kroat Canadair. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë të MZSH, Fier.
Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen “Vjollcë”, të Rrëshenit në Mirditë, zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë, por forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.
Në Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, të Klosit, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të zjarrfikëses.
Në Poliçan të Beratit, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë disa banesave dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Banorët janë evakuuar. Në terren kanë operuar forcat e zjarrfikëses të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të ndihmuar nga 60 efektivë të FA e mbështetje nga ajri.
Te Mali i Bërzhitës në Tiranë, në fshatin Ibë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 5 Ha në zonë me shkurre dhe ferra. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatrat Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas një pune të palodhur të forcave zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë. Janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë dëm. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës.
Në fshatin Okshtun të Rrogozhinës, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Peqinaj, Synej, të Kavajës, janë djegur 10 hektarë si pasojë e zjarrit. Ditën e sotme forcat operacionale po vijojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit. Në këtë zonë ka ndihmuar nga ajri edhe një avion Canadair i Kroacisë.
Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, ka rënë zjarr në sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 15 forca operacionale, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e tij. Intensiteti i zjarrit është ulur. Ditën e sotme forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.
Në fshatin Turan të Tepelenës, vatra e zjarrit është izoluar, por po mbahet nën monitorim.
Në fshatin Mukaj të Gramshit, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetur dhe 8 efektivë dhe 12 forca te bashkisë Gramsh.
Te uzina në Cërrik, zjarri është izoluar dhe vijon puna për fikjen e plotë të vatrës.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA.
Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia të ardhur në ndihmë të Shqipërisë përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Një prej avionëve Canadair nga Kroacia ka ndërhyrë prej orëve të para në Synej të Kavajës.
Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Haëk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.
Ministria e Mbrojtjes sqaron se nga parashikimet e IGJEO, ditën e sotme nuk priten reshje.
“Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim)”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulëta.
Zjarr i madh në Fushë-Arrëz, flakët përparojnë drejt banesave të fshatit Xath

Shumë shtëpi rrezikohen nga zjarri, teksa në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të emergjencave civile.
Dy mjete zjarrfikëse janë në vendngjarje, ndërsa në terren po punojnë 12 zjarrfikës, punonjës të Pyjores dhe banorë të zonës.
Situatë alarmante te ‘Syri i kaltër’, nënprefekti Kiço: Po presim avionët ‘Canadair’, nga terreni e vështirë! Era në disfavor, e përhap flakën deri në 200 metra
“Situatë e pafavorshme edhe për shkak të erës. Situatë e paërjetuar edhe më parë, e shihni edhe vetë forcën e saj, teksa edhe flakët fluturojnë deri në distancë 200 metra nga forca e erës. Personalisht nuk e kam përjetuar ndonjëherë. Jemi përqëndruar në fshatin Krongj, me forca të dislokuara, si dhe sot me helikopter të forcave të armatosura. Por edhe pse u mendua se u shua, vatrat u riaktivizuan, situata mbetet problematike. Parku Syrit të Kaltër nuk mbaj mend të jetë përfshirë ndonjëherë nga flakët në këto përmasa”, u shpreh nënprefekti.
Kurse për planin operacional dhe ndërhyrjen, ai tha se presin avionin që t’i bashkohet helikopterit ushtarak.
“Nuk mund të operohet me forca tokësore me atë dendësi bimësh e terreni. Deri tani ka operuar një helikopter dhe jemi në pritje të avionëve canadair që i presim nga çasti në çast. Problem është se janë disa vatra zjarri, madje ka edhe nga ato që riaktivizohen. Një perimetër prej 50 km të paktën. Shfaqet sa në Mesopotam, në një fshat tjetër. Duhet treguar kujdes maksimal, jemi në terren 24 orë, por kushtet atmosferike, era dhe temperaturat e larta i kemi në disfavor”, përfundoi Kiço.
Përkeqësohet situata me zjarret në pyjet e Gramshit, kryebashkiaku Ajazi: Vatër e re zjarri më agresive, rrezikohen banesa
“Situatë emergjente në pyjet e Gramshit. Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Mukaj të Sojnikut, Njësia Administrative Kukur ndërsa tani në mesdrekë është ndezur një vatër e re zjarri më e madhe dhe më agresive mbi fshatin Sojnik i cili është përhapur deri në fshatin Snosëm duke rrezikuar edhe banesa”.
Kryebashkiaku i Gramshit thotë se flakët kanë rënë si pasojë e zjarrvënieve të qëllimshme.
“Dyshohet se shkaku është veprimtaria kriminale e piromanëve, që me papërgjegjshmëri të tmerrshme po rrezikojnë jetën, natyrën dhe pronën publike. Pavarësisht angazhimit maksimal të shërbimit tonë zjarrfikës, shërbimit pyjor, drejtorisë së shërbimeve, vullnetarëve dhe ndihmës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile – me 20 efektivë në terren dhe 2 helikopterë në operacion – zjarri vijon të jetë aktiv dhe i vështirë për t’u vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë, temperaturave të larta dhe erës të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve. Dënojmë me forcë aktet barbare të zjarrvënies së qëllimshme. Autorët do të përballen me ashpërsinë më të madhe të ligjit dhe me zemërimin e një komuniteti që nuk lejon askënd të dëmtojë pasurinë e përbashkët. Jemi në monitorim të pandërprerë dhe do të vijojmë betejën për të mbrojtur pyjet dhe banorët tanë”, ka shkruar ai.
Situatë kritike në ‘Syrin e Kaltër’, lufta me helikopter nga ajri për të shuar flakët
Helikopterët e ushtrisë janë në operacion të pandërprerë, teksa Report Tv ka siguruar edhe pamjet e hedhjes së sasive të ujit me kova të mëdha nga ajri.
Situata paraqitet kritike, teksa sipërfaqe të mëdha me bimësi e pemë po digjen. Prioritet mbetet jeta e banorëve, turistëve dhe lokalizimi i flakëve.
‘Alarm i kuq’, Braçe publikon pamjet nga zjarri masiv në Poliçan: Rrezikon të djegë fshatrat me radhë! Duhet ndërhyrje nga ajri
Postimi i plotë i deputetit Erion Braçe:
ALARMI I KUQ NGA ZJARRI;
KJO ËSHTË GJENDJA E ZJARRIT TANI NË POLIÇAN!
Zjarri ka dalë nga qyteti e po ngjitet në Kapinovë, po i afrohet MBRAKULLËS dhe rrezikon i gjithë fshati – më i madhi i bashkisë, TË DIGJET!
I pamundur të shuhet nga toka me zjarrfikëse;
Është lart në mal, nuk ka rrugë; e zbret era e fortë deri poshtë duke rrezikuar të djegë fshatrat me radhë!
NUK KA NDODHUR KURRË KËSHTU;
ZJARRI MË I MADH RENË NDONJËHERË NË KËTO ANË!
SHPËTOJENI POLIÇANIN NGA AJRI!
Zjarri kalon rrugën Sarandë-Muzinë dhe vazhdon drejt ‘Syrit të kaltër’, mbyllet qarkullimi! Zjarri i afrohet parkingut
Evakuohen vizitorët, mbyllet qarkullimi në rrugën Sarandë-Muzinë.
Në terren 2 helikopterë, 20 forca të ushtrisë dhe 4 mjete zjarrfikëse.
Zjarr i madh në Konispol, flakët përfshijnë dy fshatra
Sipas gazetarit Limos Didani, momentalisht në rrezik është një stan me 350 bagëti të imta.
Flakët kanë djegur edhe dy sipërfaqe toke me ullishte dhe arra.