Pjesë të koleksioneve fotografike dhe grafike të fondit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, së fundmi janë inventarizuar dhe digjitalizuar, duke “siguruar” kështu një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë audiovizive dhe filmike.
Mes qindra fotografive gjenden ato të inaugurimit të Kinostudios në vitin 1952, foto nga filmi “Në pyjet me borë ka jetë” (1978), një foto unike në 35 mm e Bekim Fehmiut gjatë vizitës në Shqipëri në 1972, foto e Nikita Hrushova gjatë vizitës në Shqipërinë komuniste etj. Dhjetëra nga këto imazhe janë prezantuar në kinemanë që mori emrin “Drita” në AQSHF nga specialisti i arkivit Erjon Tusha. Ai tregon se procesi ka përfshirë inventarizimin dhe digjitalizimin e një numri të madh materialesh të periudhës së Kinostudios “Shqipëria e Re”, që nga viti 1945 deri në vitin 1993.
“Rëndësia e krijimit të fototekës qëndron pikërisht në dokumentimin e komplet koleksioneve të foto negativëve, që përfshin harkun kohor nga viti 1945 deri në vitin 1993, periudhë kur ishte dhe kur mori formë kinostudio ‘Shqipëria e Re’ Në këtë koleksion janë të përfshira foto negativë, koleksione nga afishe të filmit artistik, afishe filmi vizatimor, afishe nga filmi dokumentar po ashtu, por gjithashtu kemi edhe foto negativë nga evente të ndryshme që ndodhnin në atë periudhë, kryesisht nga festivalet e para të filmit shqiptar.”, thotë Tusha.
Mes 50 mijë fotografive unike, një pjesë e rëndësishme e koleksionit përbëhet nga kinoprovat, ku shihen aktorë të njohur shqiptarë në hapat e tyre të parë, si aktorja Yllka Mujo, e cila mori pjesë në kinoprovat e filmit “I teti në bronz”.
“Në këtë rast mund të shohim edhe pjesëmarrjen për shembull të kinoprovave të një prej aktorëve më të njohura siç është Yllka Mujo, që merr pjesë në kinoprovat e para edhe më pas e fiton si rol tek filmi “I teti në bronz”, por në atë periudhë ai ishte duke përfunduar gjimnazin. Digjitalizimi ka përfshirë gjithashtu dhe filmin artistik, duke filluar që me filmin e parë, ‘Skënderbeu’, duke përfunduar me filmin e fundit, ‘Vdekja e kalit’.”, vijon Tusha.
Për të garantuar ruajtjen afatgjatë, negativët janë zhvendosur nga zarfet e vjetra në mbështjellës “acid free”, duke mundësuar prezervimin e tyre në kushte optimale. Të gjitha materialet janë digjitalizuar në rezolucion të lartë, në mënyrë që të jenë të aksesueshme për kërkues, studiues apo për ekspozita publike.
Në Arkiv ruhen rreth 6600 tituj filmash shqiptarë e të huaj, që kanë qarkulluar në vend deri në fund të regjimit komunist. Sipas Erjon Tushës, deri tani janë restauruar 20 filma gjatë 13 viteve, ndërsa puna vazhdon me digjitalizimin e koleksioneve të këshillave artistikë dhe, në fazën e ardhshme, partiturave muzikore të filmave.