Çmimi i rritur për derivatet e naftës, u bë shkak diskutimi për orë të tëra ditën e djeshme në Kuvendin e Kosovës. Në njërën anë ishin deputetët e opozitës të cilët i kërkonin qeverisë që të heq TVSH’në e akcizën për këto produkte, e në anën tjetër, ishte pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje që kundërshtonte një gjë të tillë, shkruan Gazeta Express.
Të parët, pra deputetët e opozitës në deklarimet e tyre, argumentuan se rritja e çmimit ndodh edhe për shkak të mosveprimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Arben Mustafa, nga Partia Demokratike të Kosovës, dje tha se s’është hera e parë që qeveria e ‘’lë inflacionin të shpërthejë’’ pasi që një gjë e tillë, theksoi ai, ka ndodhur edhe në 2022.
“Po kalojmë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Dhe kjo rritje e çmimeve nuk po vjen vetëm nga jashtë, po vjen nga brenda si pasojë e mosveprimit të kësaj qeverie. Dhe kjo nuk është hera e parë. Ngjashëm ka ndodhur në vitin 2022. Edhe atëherë e lat inflacionin të shpërthejë lirshëm, ndërsa qytetarët i latë të vetëm të ballafaqohen me rritjen e çmimeve’’, deklaroi ai mes tjerash.
Edhe kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, argumentoi se qeveria e Kurtit ka lënë anash ‘’zhvillimin ekonomik’’.
“Kjo Qeveri nuk është duke u përkujdesur për zhvillimin ekonomik dhe standardin e jetesës por është duke bërë veprime vetëm si të konvertohen në votë. Blerjen e votës përmes parasë publike”, deklaroi ai dje.
Kritik ndaj qeverisë ishte edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ky i fundit theksoi se qeveria ka marrë vetëm një masë për përballimin e krizës e që është përcaktimin e marzhës së fitimit për bizneset që merren me derivate.
I njëjti shtoi se, masa e qeverisë ‘’nuk është adekuate’’ dhe se, ‘’ caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar’’.
“Për informim, vetëm mes datës 2 dhe 3 prill (dje dhe pardje), çmimi i naftës është rritur me 14% — çmimi i furnizimit në burim është rritur me 14%. Tani, kjo masë e qeverisë, ne vlerësojmë që nuk është adekuate për dy arsye: Së pari, caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por kjo u mundëson bizneseve që çdo rritje në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht tek konsumatori i fundit. Me këtë masë, bizneset nuk kanë nxitje për ulje të shpenzimeve, kështu që konsumatori, në vend që të mbrohet, në fakt ai e bart plotësisht barrën e rritjes së çmimit. Së dyti, përvoja dëshmon se ndërhyrjet e tilla, që janë dukur tërheqëse për qytetarët, në fakt e përkeqësojnë situatën. Këto lloj ndërhyrjesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzhave të fitimit të përcaktuara nga qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në më pak biznese, të cilat mund të përballojnë marzha më të ulëta për shkak të ekonomizimit të shkallës, ndërkohë që fitimi i tyre rritet”, deklaroi dje Hoti.
Kritikat ndaj pushtetit vazhduan edhe nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, dje kritikoi qeverinë për papërgjegjësi, e cila, shtoi Tahri, tenton të ‘’viktimizohet’’.
Pra sot nuk po flasim vetëm për rritjen e çmimit të naftës. Sot, ndërsa ne po përballemi me një sfidë globale, realisht në këtë kuvend po e rikthejmë një problem serioz të brendshëm, që lidhet drejtpërdrejt me kulturën e një papërgjegjësie serioze të kësaj qeverie. Pse? Për vite me radhë kemi parë se sa herë që ky vend përballet me kriza, kjo qeveri në vend se të ofrojë zgjidhje, të ulet, të diskutojmë brenda mundësitë reale, kërkon mundësi diqysh me kriju njëfarë përfitimi, me u viktimizu brenda kabinetit të vet“, tha dje Tahiri.
Në anën tjetër pushteti argumentoi ndryshe. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi se heqja e TVSH’së është ‘’vendim i lehtë’’, dhe se i njëjtë sjellë ‘’dëm të madh’’.
“Kërkesat kryesor në raport me heqje të akcizës dhe TVSH-së, të cilat po konsistojnë në vazhdimësi duke u përsëritur, janë e para vetëm të lehta dhe mendimi se kemi bërë diçka, por nuk është ideja për të sjellë vetëm vendime të shpejta e të lehta me dëm të madh. Ideja është për të bërë analiza të mirëfillta dhe për të ruajtur mirëqenien e atyre që kanë nevojë të ruhen më së shumti me mekanizma shtetëror”, tha Kusari-Lila.
Kundërshtime ndaj kërkesës së opozitës erdhën edhe nga Hekuran Murati, ministër i Financave. I njëjti ndër tjerash dje tha heqja e TVSH’së dhe ulja e akcizës do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.
Ndërsa i pari i Qeverisë, Albin Kurti, në deklarimet e tij, tha se edhe në të kaluarën kur i ishte kërkuar një gjë e tillë, ai s’e kishte bërë.
‘’Nuk është hera e parë që e kërkoni këtë gjë prej qeverisë sonë, jam kryeministër për herë të tretë, gjithmonë keni kërkuar herë hiqe akcizën, herë TVSH-në, nuk e kom bo asnjërën, kom fitu veç ma shumë, a po kuptoni. Pra edhe populli nuk është për atë që po më këshilloni, dhe unë përfaqësoj një politikë tjetër”, deklaroi dje ai.
Kurti i cili dje foli edhe për inflacionin, u shfajësua se ky i fundit është i ‘’importuar’’.
‘‘Inflacioni është i importuar, nuk është burimor. Nëse do të ishte burimor ne do të mbanim kryekëput përgjegjësi. Por infalcioni është i importuar. Dhe kjo ndodh për shkak se, në Ngushticën e Hormuzit, anijet nuk janë me qymyr por janë me naftë. E qysh e dini gjithë ju, Kosova nuk ka burime të naftës.’’, ka thënë ai.