Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë paralajmëruar mbajtjen e një greve njëorëshe sot, nga ora 11:00 deri në 12:00, në oborrin e RTK-së, për shkak të vonesës së pagave dhe siç theksojnë ata nënvlerësimit të punës së tyre.
Në njoftimin e SPERTK drejtuar stafit thuhet se kjo është dita e 17-të pa paga për punonjësit e RTK-së.
“Sot zhvillohet greva njëorëshe, nga ora 11:00 deri në 12:00, në oborrin e RTK-së. Kërkojmë pjesëmarrje dhe mbështetje të plotë nga të gjithë punonjësit e RTK-së, nga të gjitha njësitë dhe departamentet”, thuhet në njoftim.
Synimi i grevës, sipas njoftimit është mbrojtja e dinjitetit profesional dhe e të drejtave të tyre.
“Qëllimi i kësaj greve është i drejtë dhe i domosdoshëm: të mos pranojmë nënvlerësimin e punës sonë dhe të drejtave tona profesionale”, theksohet tutje në njoftimin e SPERTK.
SPERTK shton se kjo është një ftesë masive për të gjithë punëtorët që të bashkohen dhe të tregojnë unitet.
“Bashkimi ynë është forca jonë. Ftohen gjithashtu të gjitha mediat që ta përcjellin grevën dhe të informojnë publikun për kërkesat tona të ligjshme. Për të drejtat tona. Për dinjitetin tonë profesional”, thuhet në njoftim.