At Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Shahin bej Kolonja, Petro Nini Luarasi apo Sotir Peci janë vetëm disa nga emrat që morën pjesë në Kongresin e Manastirit, ngjarje që shenjoi fatin e gjuhës shqipe dhe identitetin tonë kombëtar. Kjo ngjarje dhe Dita e Alfabetit janë përkujtuar përmes një videoje nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Ramës, kjo ditë “vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi e kulturash në rrugën drejt së ardhmes, ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha.”
Kongresi i Manastirit i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit është mbajtur nga 14 nëntor – 22 nëntor 1908 dhe kishte për qëllim vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm. I organizuar nga shoqëria Bashkimi, në këtë kongres të drejtuar prej Mid’hat Frashërit, morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.
Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtaresh nën kryesinë e At Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime dhe u arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme që At Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.
Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.
U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.
Me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime dhe duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.