Ka hyrë në ditën e tretë procesi i rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun e Tiranës. Për sot, procesi nisi në orën 09:00, dhe sipas të dhënave të KQZ, janë hapur 223 kuti nga 1282 në total të qarkut.
Nga rinumërimi, sipas të dhënave të deritanishme, PD rezulton se ka 113 vota të pamerituara, ndërsa PS 110, të cilat iu zbriten nga rezultat e numërimit të parë. Këto janë vota të pavlefshme ose vota që i kanë marrë në ‘kurriz’ të partive të vogla. Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 11 vota të pamerituara ndërsa partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezolton të mos ketë përfituar asnjë votë që s’i takon.
Për sa u takon kandidatëve, Ilir Alimehmetit të PD i zbriten 20 vota të pamerituara, 10 Jorida Tabakut dhe 13 Ilir Metës. Në kampin e PS, Olta Xhaçka, e cila fitoi me një rezultat të ngushtë kundrejt Blerina Gjylametit, rezulton se ka 14 vota të pamerituara. Gjylameti vetëm 1.
Vetëm për qarkun e Tiranës, procesi i rinumërimit sipas KQZ mund të zgjasë rreth 10 ditë, ku në total do të hapen 1282 kuti votimi ose rreth 400 mijë fletë votimi. Pas Tiranës, do rinumërohen 587 kuti të qarkut të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).