Djali i dëshmorit të kombit, Nagip Cacaj, Arbëri, në protestën kundër Gjykatës speciale tha se Kosova ka 1 mijë e 639 varre të hapura, plagë të freskëta, dhimbje e merzi.
Në fjalën e tij në protestë, Arbëri tha se dikur ishte fëmijë i luftës, por fatin e tij nuk e patën 1 mijë e 432 fëmijë të tjerë që u vranë e u masakruan nga kriminelë serbë.
“Ata nuk arritën që ta gëzojnë këtë liri. Ata mbetën përgjithmonë fëmijë të vrarë e të masakruar nga kriminelët serbë. Shumë prej atyre kriminelëve sot janë në Hagë duke dëshmuar kundër çlirimtarëve tanë”.
“Dhe sot më thoni nëse babai im dhe bashkëluftëtarët e tij quhen kriminelë, atëherë edhe unë jam kriminel. Urdhëroni, ejani dhe m’i lidhni duart. Nuk më duhet kjo liri nëse vjen pa bashkëluftëtarët e babait tim”, tha Arbër Cacaj.
Tutje, ai u shpreh se ajo që po ndodh me ish-krerët e UÇK-së në Hagë nuk është drejtësi, por poshtërsi.
“Liri për çlirimtarët. UÇK-ja nuk është dorëzuar para Serbisë, UÇK-ja s’do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale”, tha ai.