Donald Trump ka shtyrë përsëri zbatimin e disa tarifave doganore masive ndaj Kinës, duke shpallur një pauzë 90-ditore vetëm disa orë para se marrëveshja e fundit mes dy ekonomive më të mëdha të botës të skadonte, raporton The Guardian.
Të hënën, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjatur afatin e vendosjes së tarifave më të larta ndaj Kinës deri më 9 nëntor, kanë konfirmuar zyrtarë të cituar nga Reuters. Zyrtarët kinezë deklaruan më herët gjatë ditës se shpresojnë që Shtetet e Bashkuara të bëjnë përpjekje për rezultate tregtare “pozitive”, duke qenë se armëpushimi tregtar 90-ditor i rënë dakord në maj pritej të skadonte.
“Shpresojmë që SHBA të bashkëpunojë me Kinën për të respektuar konsensusin e rëndësishëm të arritur pas bisedës telefonike mes dy krerëve të shteteve… dhe të arrijmë rezultate pozitive mbi bazën e barazisë, respektit dhe përfitimit të ndërsjellë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian.
Si zyrtarët kinezë ashtu edhe ata amerikanë prisnin që kjo pauzë të zgjatej, pas raundit më të fundit të negociatave tregtare të zhvilluara muajin e kaluar në Stokholm. Scott Bessent, Sekretari i Thesarit të SHBA-së, tha javën e kaluar se SHBA ka “përbërësit” për një marrëveshje tregtare me Kinën dhe është optimist për rrugën përpara.
Një dështim në arritjen e një marrëveshjeje do të kishte pasoja të mëdha. Trump ka kërcënuar me tarifa deri në 245% ndaj Kinës, ndërsa Pekini ka kërcënuar me tarifa hakmarrëse prej 125%, çka do të shkaktonte një luftë tregtare mes ekonomive më të mëdha të botës.
Të dielën, Trump shkroi në TruthSocial se Kina duhet të katërfishojë blerjet e sojës nga SHBA për të ndihmuar në uljen e deficitit tregtar mes dy vendeve.
“Ne kemi hyrë në një botë të re dhe të rrezikshme”
Aktualisht, eksportet e SHBA drejt Kinës i nënshtrohen tarifave prej rreth 30%, ndërsa importet nga Kina tatohen me një tarifë bazë prej 10% dhe një tarifë shtesë prej 20%, vendosur si përgjigje ndaj akuzave për trafikimin e fentanilit nga Kina. Disa produkte tatohen me norma edhe më të larta.
Rezerva Federale dhe shumë ekonomistë kanë paralajmëruar se këto tarifa do të rrisin çmimet në SHBA. Strategët e Goldman Sachs llogarisin se, deri në qershor 2025, konsumatorët amerikanë kanë mbajtur mbi shpatulla 22% të kostove tarifore, përqindje që mund të rritet në 67% nëse tarifat e fundit ndjekin të njëjtin model si ato të mëparshmet.
Para afatit për tarifat, prodhuesit e çipeve Nvidia dhe AMD ranë dakord të paguajnë qeverisë amerikane 15% të të ardhurave nga shitja e çipeve të avancuara drejt Kinës, në këmbim të licencave të eksportit në këtë treg. Stephen Olson, ish-negociator tregtar i SHBA-së, i tha Bloomberg për këtë marrëveshje:
“Ajo që shohim, në fakt, është monetizimi i politikës tregtare amerikane, ku kompanitë amerikane duhet t’i paguajnë qeverisë amerikane për lejen për të eksportuar. Nëse kjo është e vërtetë, kemi hyrë në një botë të re dhe të rrezikshme.”