Sadleva Bodo pritet të jetë drejtuesja e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Bodo do të bëhet kështu drejtuesja e parë grua në krye të këtij institucioni.
Propozimi i saj nga ministri i Drejtësisë për të marrë këtë detyrë, vjen pasi Adriatik Kupi dha sot dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Aktualisht, Bodo mban detyrën e këshilltares së drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Bodo ka punuar edhe në Ministrinë e Brendshme, kur në krye të këtij institucioni ishte Fatmir Xhafaj. Ajo ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme.
Emërimi i saj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pritet të zyrtarizohet me vendimin përkatës në ditët në vijim.
Adriatik Kupi njoftoi mëngjesin e sotëm dorëheqjen nga drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas 7 muajsh në këtë detyrë.
Kupi u emërua në këtë detyrë më 1 prill të këtij viti duke pasur Klevis Qosen, i cili tani drejton Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Në 13 vite, janë ndërruar 9 drejtorë që nga Artur Zoto e deri te drejtori i cili tashmë ka njoftuar dorëheqjen.