Jemi një hap larg zgjedhjeve të 8-ta lokale me radhë. Për këtë cikël zgjedhor është planifikuar të shpenzohen 9 milionë e 760 mijë euro. Portalb.mk analizoi ciklet e mëparshme zgjedhore në nivel lokal.
Zgjedhjet e para lokale në Maqedoninë e pavarur u mbajtën në nëntor të vitit 1996 dhe u realizuan në 123 komuna dhe në nivelin e Qytetit të Shkupit. Në këto zgjedhje “pioniere”, numrin më të madh të vendeve të kryetarëve të komunave e fitoi LSDM-ja, edhe atë 54, e ndjekur nga VMRO-DPMNE me 30, ndërsa në vendin e tretë ishte partia e atëhershme nga blloku shqiptar, PPD-ja, me 20 vende të kryetarëve të komunave. Partia Socialiste fitoi madje 10 poste të kryetarëve të komunave, ndërsa turqit, romët dhe serbët etnikë fituan nga një.
Në shtator të vitit 2000, u mbajtën zgjedhjet e dyta lokale, përsëri në 123 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Këto zgjedhje sollën edhe një ndryshim të forcave politike në nivel lokal, VMRO-DPMNE-ja fitoi 59 vende të kryetarëve të komunave, LSDM-ja “ra” në 32, ndërsa PPD-ja e rriti numrin e kryetarëve të zgjedhur të komunave në 23.
Zgjedhjet lokale të vitit 2005, këto janë zgjedhjet e para komunale pas ndarjes territoriale në 84 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Zgjedhjet u zhvilluan në mars. Në këto zgjedhje, BDI-ja, partia e Ali Ahmetit, u shfaq si lojtar politik për herë të parë dhe fitoi 14 vende të kryetarëve të komunave. Partia që fitoi më së shumti ishte LSDM-ja me 37 vende të fituara për kryetar komune, e ndjekur nga VMRO-DPMNE-ja me 21 vende për kryetar komune. Këto zgjedhje u zhvilluan nën monitorim të shtuar nga institucionet ndërkombëtare dhe u regjistruan edhe parregullsi të shumta.
Katër vjet më vonë, së bashku me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet lokale të vitit 2009. Këto zgjedhje i sollën VMRO-DPMNE-së një fitore të madhe, me 56 vende të fituara për kryetarë komune, ndërsa për LSDM-në ato ishin një fiasko zgjedhore, me vetëm 7 kryetarë komune, gjë që e vendos partinë në vendin e tretë për sa i përket pozicioneve të fituara për kryetarë komune, pas VMRO-DPMNE-së dhe pas BDI-së, e cila fitoi në 15 komuna.
Zgjedhjet lokale 2013, zgjedhjet e pesta komunale me radhë u mbajtën në dy rrethe zgjedhore në mars dhe prill. Sipas kontekstit politik, LSDM-ja e atëhershme në opozitë kërkoi gjithashtu edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, e preludi i zgjedhjeve lokale ishte “E hëna e zezë”, gjegjësisht 24 dhjetori 2012. Në këtë cikël zgjedhor, VMRO-DPMNE i mbajti të gjitha 56 vendet e kryetarëve të komunave, ndërsa LSDM pësoi humbje me vetëm 4 vende të fituara për kryetarë komune. BDI arriti të ruajë dominimin në 14 komuna të fituara më parë – me humbjen e vetëm një pozicioni të kryetarit të komunës.
Tetor 2017, zgjedhjet lokale. Në këto zgjedhje u zgjodhën kryetarë komune për 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Lista të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunash parashtruan 19 parti dhe koalicione, si dhe 64 grupe zgjedhësish. Me një total prej 57 kryetarë komunash të fituar, LSDM-ja korri një fitore të madhe pasi në zgjedhjet e mëparshme lokale përjetoi një fiasko duke fituar vetëm 4 komuna. Kësaj radhe debakël pësoi VMRO-DPMNE-ja, pozicionet e fituara nga kjo parti u reduktuan nga 56 në 5 vende të fituara për kryetar komune. Gjithashtu, “u shkri” dominimi i BDI-së me 10 komuna të fituara.
Katër vjet më vonë, në tetor u mbajtën zgjedhjet lokale të vitit 2021. Cikli i ri zgjedhor solli përsëri një kthesë politike. Me 42 vende të fituara për kryetar komune, VMRO-DPMNE mori përsëri dominimin, ndërsa LSDM-ja arriti të fitojë vetëm 16 vende për kryetar komune. Në këto zgjedhje lokale, BDI-ja fitoji një komunë më shumë, duke dominuar kështu në 11 vetëqeverisje lokale. Aleanca e atëhershme e Shqiptarëve dhe BESA fituan nga dy komuna secila, ndërsa PDSH-ja mbeti pa kryetar komune.
Shpërndarja e deritanishme e forcave politike tregon se në katër cikle zgjedhore në nivel lokal, fitore korri VMRO-DPMNE-ja, ndërsa në tre LSDM-ja.
Tani jemi në pritje të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 që do të të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.
Fushata zgjedhore fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor. Më 19 tetor, votimi do të zhvillohet në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit në 3,480 vendvotime. Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.