Sali Berisha do të përballet me SPAK në gjykimin e themelit si i akuzuar për korrupsion pasiv.
Gjyqtarja paraprake, Flojera Davidhi, certifikoi hetimet e prokurorëve të posaçëm, duke e kaluar dosjen me tetë të pandehur për gjykim themeli, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Mes atyre që do të gjykohen, përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, po ashtu nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
Vendimi u dha tetë muaj pasi palët kundërshtuan njëra-tjetrën: nga njëra anë, avokatët e ish-kryeministrit që kërkuan pushimin e çështjes, dhe nga ana tjetër SPAK, që insiston se ish-funksionari është korruptuar nga dhëndri i tij, të cilin e kishte korruptuar biznesmeni Fatmir Bektashi për të nxjerrë ligje në favor të familjeve pronare.
Këto akte nënligjore, sipas SPAK, u përshtatën me nevojat e pesë familjeve pronare të truallit ku ndodhej Sport Klub Partizani.
Për këtë çështje, SPAK ka vendosur sekuestrim ndaj disa pasurive, ndërkohë që në arrest shtëpiak vazhdon të jetë dhëndri i ish-kryeministrit, i cili fillimisht ishte lënë në masën “detyrim paraqitje” në fillim të janarit.
Pas vendimit të gjyqtares paraprake, pritet që brenda pak ditësh të hidhet shorti prej nga do të caktohet trupa gjykuese që do të gjykojë në themel ish-kryeministrin.
Për të njëjtat akuza që ka ngritur SPAK në mbyllje të hetimeve, do të gjykohen edhe tre shoqëri që dyshohen se kanë pastruar para.
Pas seancës, avokati Genc Gjokutaj hodhi sërish akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
“Sot paraqitëm kërkesën për të pavlefshmërinë e të gjitha akteve të marra nga gjyqtarja, se ishim koshient që pavlefshmëritë kërkohen te gjyqtari i seancës paraprake. Nuk kishim një hapësirë tjetër ku t’i kërkonim. Është e vërtetuar që Irena Gjoka nuk ka pasur kushtet për të qenë gjyqtare. Vendimet e marra prej saj janë të pavlefshme. Kjo gjykatë na i rrëzoi pa argumentuar. Së fundmi, GJKKO ka hapur një praktikë që thotë se seanca paraprake nuk mund ta pushojë çështjen. Sot ishte më mirë një citim dispozitash, nenesh…”.