Nga nisja e kokainës prej vendeve të Amerikës Latine, te vështirësia për të transportuar shumat e mëdha të parave e deri te nofkat që anëtarët e grupit të udhëhequr nga Ervis Çela dhe Franc Çopja përdornin për t’u referuar njëri-tjetrit. Në dosjen voluminoze të SPAK-ut që Report Tv ka mundur të sigurojë, jepen detaje nga aktiviteti i një prej organizatave kriminale shqiptare më të fuqishme ne tregon ndërkombëtar të kokainës.
Në vendimin e masës së sigurisë të firmosur nga gjyqtari Erjon Bani, prej 282 faqesh, tregohet roli i secilit prej anëtarëve të grupit kriminal, si dhe transferimi i shumave të konsiderushme të parave nga njëri te tjetri. Në një bisedë mes tyre, Çopja dhe Çela flasin për një shumë prej 7 milionë eurosh për t’i dorëzuar këtij të fundit, para të fituara nga shitja e kokainës, ndërsa gjatë komunikimit bien në sy nofkat me të cilat u referohen anëtarëve të tjerë të grupit: Petrit Lakatos thirrej “iphone”, ndërsa Miklovan Mullaj njihej me cilësime të ndryshme “batman”, “zhuu”, “shijaksi”, e më gjerë.
Hetimet, përmes zbërthimit të aplikacionit Sky, zbuluan se Ervis Çela dhe Franc Çopja ishin krerët e organizatës. Elementët e dosjes, tregojnë se ata njoftonin njëri-tjetrin për çdo detaj. Kokaina niset nga Paraguai, përmes portit të Villetas, dhe të gjitha përgatitjet për nisje i tregohen njëri-tjetrit, me foto. Ervis Çela njofton gjithë kohës Çopjan duke i dërguar imazhet edhe të kamionëve me kontejner me kokainë që po shkojnë dhe futen në port. Kokaina fshihet në një hapësirë në mesin e dy gipseve, e presuar dhe e paketuar mirë me vakum, më logo të ndryshme, mes tyre edhe “NY”.
Në Paraguai Ervis Çela, jetonte së bashku me të vëllain, Ardjanin. Në një nga bisedat mes vëllezërve flitet për shuma të konsiderueshme parash që Franc Çopja do të dorëzonte në Shqipëri. Vetë Ervisi, në një moment është i shqetësuar për vështirësitë për dërgimin e parave nga Holanda në Shqipëri. Sipas tij ka shumë para atje, por nuk ka shofer për t’i sjellë.
Tjetër bisedë interesante mes dy vëllezërve bëhet për Fadil Ballën, i njohur ndryshe dhe si Jul Balla, pronari i “Ajman Resort” në Shijak, i cili sipas tyre ka disa pagesa të prapambetura dhe është në pamundësi për t’i likujduar. Megjithatë, Ervisi i justifikon vonesat pasi në atë periudhë Fadili po ndërtonte resortin. Në një bisedë të mëvonshme mes Ervis Çelës dhe Fadil Ballës kuptohet se kemi të bëjmë me një borxh që shkon deri në 2 milionë e 280 mijë euro. Në një tjetër bisedë ata flasin për dërgesa kokaine. Sipas Ballës, dikush i kishte ofruar 150 kg kokainë me vlerë 31 mijë e 500 euro për kg.
Më pas gjatë bisedës është Ervisi që e pyet sa kg donte t’i dërgonte, por Balla ia lë në dorë atij, sa të mundte, nga 100 deri në 500 kg. Në fund i dërgon edhe një foto të punimeve në kompleksin “Ajman Resort” që po ndërtonte dhe i thotë që po e merrte në qafë pasi gjithë paratë e drogës që po blinte te ai që më pas e shiste, po i investonte, duke e nënkuptuar për resortin, tashmë i sekuestruar.
Sipas dosjes së SPAK, Ervis Çela dyshohet se përfaqëson hallkën më të konsoliduar në zinxhirin e furnizimit dhe trafikimit me kokainë, me lidhje të rëndësishme në laboratorët e prodhimit të kësaj substance, të njohura si “kuzhina”. Ai siguron kokainën duke e blerë atë në stadin e parë të saj në bashkëpunim me persona të tjerë nga Brazili, Paraguai dhe vende të tjera të Amerikës Latine, me ndikim në portet në ato vende.
Lënda narkotike dyshohet se kamuflohej me produkte të ligjshme si fruta ekzotike, drithëra, minerale, produkte industriale apo bujqësore. Nëpërmjet bashkëpunimit me kompani tregtare evropiane dhe amerikano-latine këto mallra më pas transportoheshin nga portet e Paraguait, Brazilit dhe vendeve të tjera përmes rrugëve ujore, duke përfunduar në portet evropiane, përfshirë ato të Belgjikës, Holandës, Gjermanisë dhe Spanjës.
Përgjatë udhëtimit detar të kontejnerëve në të cilët është fshehur lënda narkotike, ndryshohet destinacioni në mënyrë të qëllimshme për të shmangur skanimet e detajuara nga agjencitë ligjzbatuese në portet respektive dhe kjo arrihej të bëhej përmes ndryshimit të dokumentacionit të quajtur “Bill of lading”, dokument i cili përdoret për të konfirmuar marrëveshjen midis eksportuesit, porositësit dhe kompanisë të transportit detar. Ky dokument përmban ndër të tjera emrin e transportuesit dhe ngarkuesit, përshkrimin e mallrave, pesha dhe vëllimi, porti i ngarkimit i shkarkimit dhe datën e nisjes.
Një ditë më parë, GJKKO konfirmoi masën “arrest në burg” për Ervin Çelën edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi me masën sigurie më të butë është Riza Çela, i cili u la në “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja, dhe 5 të tjerë të shpallur në kërkim