Deri në 16 vite burg rrezikojnë ata që abuzojnë me fondet e Bashkimit Evropian. Ministria e Drejtësisë ka bërë një sërë propozimesh për të rishikuar Kodin Penal, duke rritur dënimet për ata që cenojnë interesat financiare të BE-së.
Në Kod propozohet të shtohet një nen i ri 244/b, për ‘Korrupsionin aktiv të nëpunësve të Bashkimit Evropian’, që parashikon burg deri në 3 vite, kur tentohet të korruptohet zyrtari i BE-së.
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, nëpunësit të Bashkimit Evropian, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet”, thuhet në këtë nen.
Kurse nëpunësi i BE-së që pranon korrupsionin, dënohet me deri 8 vite burg dhe dënimi rritet deri në 12 vite kur dëmi që shkaktohet është mbi 10 milionë lekë.
Ndërsa në nenin e ri 245/a thuhet se kur tentativa për korrupsion bëhet me një funksionar të lartë të BE-së, dënimi me burg është deri 6 vite, dhe shtohet me 1 të tretën kur dëmi është mbi 10 milionë lekë. Në rastet kur ndodh e kundërta, pra nëse funksionari i lartë i BE-së kërkon përfitim, duke cenuar interesat financiare të BE-së dënimi shkon gjer në 12 vite, dhe rritet me një të tretën e tij, kur dëmi është mbi 10 milionë lekë.
Një tjetër nen që propozohet të ndryshohet është ai 143/a/8 ku saktësohet se kur fondet e Bashkimit Evropian keqpërdoren si në procedura prokurimi, jo-prokurimi, kur jepen informacione të pasakta, të rreme në dëm të interesave financiare të BE-së, kjo është vepër penale që dënohet nga dy gjer në pesë vjet.
Deri në 5 vite burg do të dënohen edhe skemat mashtruese me TVSH-në, që prekin interesat e BE-së. Të gjitha këtyre veprave do u shtohet dënimi i dhënë me 1 të tretën nëse shkaktojnë pasoja të rënda.
“Kur veprat penale të parashikuara në paragrafin e dytë, të tretë dhe të katërt të këtij neni pasojat do të konsiderohen të renda kur vlera e dëmit ose përfitimit është në vlerën 10.000.000 lekë, ose ekuivalencën në monedhë të huaj. Pasojat e veprave penale ndaj sistemit të përbashkët të TVSH-së, konsiderohen të rënda kur veprimet apo mosveprimet e qëllimshme të përkufizuara në paragrafin e mësipërm, lidhen me territorin e dy a më shumë shteteve anëtare të BE-së dhe konsistojnë në një dëm të përgjithshëm prej të paktën 1.000.000.000 lekë, ose ekuivalencën në monedhë të huaj”, thuhet në këtë nen të ri. Kurse në nenin aktual vepër e rënd klasifikohej ajo që kishte të bënte me një përfitim që tejkalon 50,000 euro.
Ashpërsimi i ndëshkimeve për këto vepra penale, vjen 3 vite pasi vendit i janë bllokuar nga Komisioni Evropian fondet për bujqësinë për shkak të abuzimeve me IPARD II, si dhe ka pasur probleme edhe me fondet IPA.