Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se do të zhvllohet tryeza e dytë e prezantimit teknik të draftit për Kodin e ri Penal.
Takimi i dedikuar për mediat dhe gazetarët, në bashkëpunim me grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Penal, do të zhvillohet ditën e nesërme më 4 shtator, duke filluar nga ora 10:30 deri më 12:00.
Në takimin e nesërm në ambientet e Tirana International Hotel, do të prezantohen risitë e Kodit të ri Penal, në raportin me atë ekzistues dhe me standardet europiane.
Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë
Të nderuar përfaqësues të medias,
Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Grupin e Punës për hartimin e Kodit të ri Penal, ju fton të merrni pjesë në tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit të Kodit të ri Penal, përpara fillimit të konsultimeve të gjera publike që do të zhvillohen për këtë draft.
Gjatë këtij aktiviteti do të prezantohen në mënyrë krahasuese risitë e Kodit të ri Penal në raport me Kodin Penal aktual dhe me standardet referuese europiane. Gjithashtu, grupi i punës do të paraqesë qëndrimet e tij lidhur me nenet që kanë qenë objekt diskutimi dhe komentimi publik pas prezantimit të parë të draftit.
Ky prezantim teknik është konceptuar si vijim i aktivitetit të mbajtur më 25 korrik dhe si pjesë e procesit të vazhdueshëm të informimit publik mbi draftin e ri të Kodit Penal, përpara fillimit të konsultimeve publike që do të zhvillohen me të gjithë aktorët e interesuar, me qëllim që të jenë pjesë aktive e këtij procesi të rëndësishëm juridik.
Gjatë kësaj tryeze, mediat do të njihen gjithashtu edhe me kalendarin e parashikuar të tryezave për konsultim publik.
Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për modernizimin e legjislacionit penal dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Ky takim është i dedikuar vetëm për përfaqësuesit e mediave dhe gazetarët.
Vendi: Salla “Consortium” – Tirana International Hotel
Data: 4 shtator 2025
Ora: 10:30–12:00
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ju ftojmë të mundësoni pasqyrimin mediatik live të këtij aktiviteti.