Derisa institucionet në Maqedoninë e Veriut ende nuk e kanë zbardhur vdekjen e Daorsa Spahijas në Tetovë, sot në Gjakovë – vendlindjen e saj u mbajt protestë ku u kërkua drejtësi dhe rasti të zbardhet sa më parë, raporton Portalb.mk.
Protestuesit kanë kërkuar hetim të plotë dhe transparent për vdekjen e Daorsës.
Disa nga shkrimet që protestuesit mbanin thonin: “Kur shteti fle, kriminelat zgjojnë tmerrin. Ku është drejtësia? Shteti duhet të veprojë jo të korruptohet. Nuk harrojmë, nuk heshtim. Drejtësi për Daorsën. Mos e lër vrasjen të quhet vetëvrasje”.
Protesta filloi në ora 12:00 në Parkun e Qytetit.
Mbrëmjen e 5 nëntorit, 24 vjeçarja Daorsa Spahija nga Kosova u gjet e vdekur poshtë objektit të një banese, u raportua që ajo është hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku jetonte.
Prokuroria disa orë më vonë konstatoi se vdekja nuk është rezultat i ndonjë krimi, por nga ky institucion ende vazhdojnë hetimet duke mos dhënë detaje.
Megjithatë familjarët dhe miqtë e viktimës thonë se vdekja e Daorsës lidhet me personin H.S. (30) nga Kumanova me të cilin ajo ishte në lidhje, i cili është i njohur për organet e rendit në RMV. Por nga familja nga Kumanova kanë reaguar duke thënë se tentohet të njolloset emri i tyre.