A po e percepton Lëvizja Vetëvendosje veten si mishërim i drejtësisë popullore?
Të martën më 27 maj ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, u intervistua nga organet e hetuesisë në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore. Po të njëjtën ditë akterë të rëndësishëm të Lëvizjes Vetëvendosje, në vend që të lejojnë drejtësinë të bëjë punën e saj, e politizuan çështjen duke e sulmuar Prokurorinë Speciale dhe prokurorin e rastit.
Një sulm i ngjashëm, e marrje në mbrojtje kishte ndodhur edhe me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe ish-drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ndaj të cilit tashmë ka edhe një aktakuzë.
Marrë për bazë këtë qasje, analisti politik, Afrim Kasolli, vlerëson se LVV-ja ka standarde të dyfishta në raport me sistemin e drejtësisë, sipas tij, LVV-ja e përdor drejtësinë si armë politike për përfitime partiake.
“Kur vendimet e këtij sistemi kanë qenë në favor të kauzave të tyre politike, atëherë ato janë përdorur si dëshmi shtesë që i konfirmon pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje kundër oponentëve të tyre. Por kur ky entitet është subjekt i hetimeve juridike atëherë për eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje ato janë dëshmi e kapjes së sistemit nga partitë që e kanë qeverisur deri më tani Kosovën”, thotë ai për Albanian Post.
Standardi i dyfishtë i LVV-së në raport me drejtësinë, sipas Kasollit, mund të cilësohet edhe si një pikëpamje “sofiste relativiste” ku çdo standard objektiv dhe normë juridike vlerësohet vetëm nëse është në funksion të interesave partiake.
“Sepse në këtë mënyrë kjo Lëvizje e percepton vetën si burim të vetëm të së drejtës dhe reprezentimit politik dhe shoqëror. Pra ajo është edhe mishërim i drejtësisë popullore. Kurse çdo gjë që del jashtë kësaj skeme, i takon segmenteve konspirative të asaj që quhet si ‘deep state’ kundër vullnetit popullor”.
Me anë të kësaj fryme, në sytë e Kasollit, LVV-ja po tenton që ta diskreditoj sistemin e drejtësisë me qëllim që ky i fundit t’i subordinohet “veprimit politik të tij dhe jo anasjelltas”.
Ndërkaq për analistin politik, Avni Arifi, sulmet në vazhdimësi të akterëve kryesor të LVV-së kundrejt sistemit të drejtësisë janë dëshmi “të pakontestueshme të një regjimi që po i trembet ligjit, dhe që për të mbijetuar politikisht, është i gatshëm të shkelë çdo normë demokratike”.
“Pushteti që kërkon prokurorë të dëgjueshëm dhe gjysmë të verbër, është pushtet që synon autoritarizëm, jo drejtësi”, ka thënë ai.
Në anën tjetër deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka kërkuar që në rastin e Pecit drejtësia të bëjë punën e saj, ndërkaq akterë të LVV-së të mos e politizojnë çdo hetim që prek njerëzit e tyre.
“Albulena Haxhiu e paska cilësuar bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë si ‘plan për të dëmtuar Kurtin’. E njëjta qasje u përdor nga Kurti edhe në rastin e Nagip Krasniqit, për të cilin doli në mbrojtje pavarësisht aktakuzave. Kur mbrohej Martin Berishaj, përmendej madje edhe ‘fushatë e egër me ndikim serb’. Kjo qasje nuk ka të bëjë me drejtësi, ka të bëjë me mbrojtje politike dhe frikë nga përgjegjësia”.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha, të martën, u intervistuan në cilësinë e të dyshuarve në lidhje me rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore.
Të njëjtit, pas intervistim nga ana e Njësisë së Veçantë Hetimore, u liruan me procedurë të rregullt.
Të martën, Prokuroria Speciale autorizoi Policinë e Kosovës për të kryer bastisje në katër lokacione, lidhur me hetimet mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore.
Bastisjet u kryen në Ministrinë e Bujqësisë, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në Agjencinë e Veterinarisë, si dhe në lokacionin e kompanisë përfituese.
Hulumtimi i mediave ka zbuluar një sërë parregullsish në procesin e dhënies së kontratës për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në bazë të hulumtimit, kontrata 20-vjeçare i është dhënë një kompanie të regjistruar vetëm pak ditë pas shpalljes së thirrjes nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas këtij hulumtimi Qeveria e Kosovës do ta subvencionojë kompaninë me 0.16 euro për trajtimin e çdo kilogrami të mbetjeve shtazore. Në bazë të planit të biznesit të kompanisë fituese është paraparë të përpunohen 5 milionë kilogramë mbetje në vit, që përkthehet në një subvencion vjetor prej 800 mijë eurosh nga buxheti apo 16 milionë për 20 vjet.
Lidhur me rastin, të martën, në mënyrë të paprecedent reagoi ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila e cilësoi intervistimin si “inskenim i gërditshëm” nga ana kryeporkurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Gërvalla e quajti bashkëpartiakun e saj “si ministrin më shembullor” të mandatit të kaluar.
“Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë”, ka shtuar ajo.
Sipas saj nuk do të ketë kthim prapa deri në reformimin e plotë “edhe të sistemit të drejtësisë”.
Ndërkaq Lista Guxo, nëpërmjet një reagimi, i doli në mbrojtje bashkëkryetarit të partisë, duke e etiketuar prokurorin e rastit si një ish-zyrtar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në anën tjetër si “plan” për të dëmtuar shefin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë duke dalë në mbështetje të Pecit.
“Unë jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kohës sa ka qenë në Ministrinë e Bujqësisë. Ai nuk ka asgjë për të fshehur… nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ministri Peci. Ai është shumë i hapur të bashkëpunojë për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar qeverinë Kurti”, ka deklaruar të martën Haxhiu.
Në anën tjetër kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ka folur për Panairin Agrokos & Agroturizëm 2025, vlerësoi lartë punën e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.
“E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, shkroi Kurti në platformën sociale, Facebook, ndërsa prezantoi disa statistika lidhur me sektorin e Bujqësisë në Kosovë.