Drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Fulvio Pea, ka zbuluar se Cristian Shpendi do të jetë pjesë e listës së radhës të Kombëtares A të drejtuar nga Sylvinho. Në një intervistë për “Radio Firenze Viola”, Pea foli me superlativa për sulmuesin 21-vjeçar, duke e cilësuar si një lojtar të plotë dhe me perspektivë të madhe.
“Shpendi është një sulmues i shpejtë, teknik dhe konkret. Di të shënojë, të sulmojë hapësirat dhe të ndihmojë skuadrën. Edhe pse i ri, është i matur dhe ka shumë hapësirë për përmirësim. Golat e tij ndër vite flasin vetë”, tha Pea, duke shtuar se Shpendi ka përfunduar rrugëtimin me U21 dhe është gati për Kombëtaren A. “Ai së fundmi përfundoi kohën e tij me ekipin U-21 dhe tani do të përfshihet në ekipin kombëtar të të rriturve sepse është shumë premtues”, tha Pea.
Ai vlerësoi gjithashtu edhe binjakun e tij, Steven Shpendin, ndërsa për Kristjan Asllanin dha një mesazh të qartë: “Ndonjëherë një hap prapa është i nevojshëm për t’u rikthyer në rrugën e duhur. Asllani është lojtar thelbësor për ne, por ka nevojë për vazhdimësi. Duhet të gjejë një klub ku mund të luajë rregullisht, gjë që i mungon te Interi”, shpjegoi Fulvio Pea.
Pea kujtoi se në Euro 2024 Asllani ishte lideri i kuqezinjve, duke udhëhequr skuadrën me karakter dhe vendosmëri ndaj kundërshtarëve të fortë. Tanimë ai nuk bën pjesë në projektin e Interit dhe refuazoi Real Betis dhe Sassuolon.