Sipas burime brenda ambasadës kosovare në Paris, edhe realizimi do të bëhet nga kompanitë franceze.
Marrja e kësaj kredie vjen vetëm pak muaj pas drekës së punës mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Pallatin Élysée në Paris, shkruan Demokracia.com.
Në njoftimin që Kurti publikoi në Facebook pas takimit, askund nuk u përmend se në tavolinë ishte diskutuar për financimin e Lojërave Mesdhetare apo për një kredi prej dhjetëra milionë eurosh.
Edhe komunikata zyrtare e Qeverisë e përmendi këtë temë vetëm në dy rreshta, duke thënë se “Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre”, pa dhënë detaje për ndonjë marrëveshje financiare.
Në vend të kësaj, Kurti e përqendroi njoftimin te temat politike si “NATO në Kosovë”, “Misionet e Bashkimit Evropian”, “Integrimi i Kosovës në BE”, “Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, “Bashkëpunimi ekonomik Kosovë–Francë”, “Dialogu me Serbinë”, “Çështjet e sigurisë” dhe “Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse”.
Edhe pse takimi u prezantua si një sukses diplomatik, me fotografi nga Pallati Élysée dhe mesazhe për partneritet strategjik me Francën, rezultati i vetëm konkret që u bë publik disa muaj më vonë ishte kredia prej 60 milionë eurosh nga AFD për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare.
Takimi në Paris u zhvillua pak para se vendi të hynte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Në atë kohë, Kurti e përdori këtë vizitë për të dëshmuar se gëzon mbështetje dhe kontakte në nivelin më të lartë të shteteve perëndimore.