Tetë persona u plagosën dhe disa zjarre shpërthyen në qytetin Kamianske, në rajonin e Dnipropetrovskit, pas një sulmi me dron rus, sipas mediave ukrainase. Gjatë natës, forcat ruse lëshuan 135 dronë me rreze të gjatë veprimi, nga të cilat 108 u neutralizuan. Sipas Forcave Ajrore Ukrainase, 27 nga dronët me rreze të gjatë veprimi të lëshuar nga Rusia nuk u interceptuan dhe u rrëzuan në 13 vende të ndryshme.
Po ashtu, Kievi njoftoi se ka kryer sërish sulme ndaj një termocentrali dhe një rafinerie në Rusi, në vazhdën e një sërë goditjesh ndaj objekteve të tilla të kryera gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, në Belgjikë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mbajë një takim urgjent sot, pasi pamjet e dronëve në aeroporte shkaktuan kaos midis udhëtarëve dhe ngritën shqetësime për sigurinë. Mbërritjet dhe nisjet u ndërprenë për disa orë në Aeroportin e Brukselit të martën në mbrëmje, duke rezultuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve. Aeroporti i Liège, një qendër e madhe mallrash, mbeti gjithashtu i mbyllur, duke shkaktuar anulime, vonesa dhe devijime të mëtejshme
Sakaq, shefi i NATO-s, Mark Rutte tha se Rusia nuk prodhon më shumë municione sesa Aleanca.
“Po e përmbysim trendin e municioneve. Deri vonë, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Por jo më. Në të gjithë Aleancën, po hapim dhjetëra linja të reja prodhimi dhe po zgjerojmë ato ekzistuese: po prodhojmë më shumë sesa kemi prodhuar në dekadat e fundit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes në Bukuresht.
“Ne duhet t’i shfrytëzojmë këto përparime në fusha të tjera, nga mbrojtja ajrore e nivelit të lartë deri te interceptorët e dronëve me kosto të ulët. Sasia është thelbësore.”, tha ai.