Presidenti Bajram Begaj ka dënuar shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia. Përmes rrjeteve sociale, Begaj thekson se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj unitetit të Aleancës dhe sigurimit të mbrojtjes kolektive për të gjithë Aleatët.
“Shqipëria dënon shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia. Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me Poloninë dhe përgëzojmë reagimin e saj, në koordinim me NATO-n, për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj unitetit të Aleancës dhe sigurimit të mbrojtjes kolektive për të gjithë Aleatët”,- shkruan Begaj.
Dronët rusë u futën në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës që lamë pas. Kryeministri Donald Tusk njoftoi në parlamentin e vendit se kanë qenë të paktën 19 të tillë që kanë hyrë në Poloni nga Bjellorusia. Ai saktëson se janë rrëzuar 4 prej tyre dhe se nuk ka patur të lënduar.