Në pallatin e sportit të Durrësit, ‘Ramazan Njala’, ka nisur prej 28 tetorit kampionati evropian i peshëngritjes për moshat deri në 23-vjeç ku marrin pjesë 35 shtete të kontinentit.
“Shqipëria merr pjesë me 8 sportistë. Ndër ta dy janë më të talentuarit të cilët do të bëjë që të kendohet edhe himni shqiptar. Bëhet fjalë për Enkileda Carjan dhe Ertjan Kofshën,”-u shpreh Elez Gjoza, president i FSHP.
Deri më tani kanë garuar për Shqipërinë 3 peshëngritës. Samuel Rrasa dhe Sajmir Lagja për kategorinë 71 kilogramë si dhe Antonio Mullisi për 79 kilogramë. Të tre nuk kanë hyrë dot në zonën e medialeve, por sipas presidentit të federatës shqiptare të peshëngritjës parashikimet janë pozitive. Sipas tij shumë federata po hasin vështirësi në ndryshimin e brezave, në një kohë kur Shqipëria nuk i ka më në formën e dikurshme yjet si Briken Calja, Erkand Qerimaj apo Daniel Godelli, të cilët kanë nderuar ngjyrat kuqezi me qindra medalje ndërkombëtare.
“Është shumë e vështirë. Kemi federatën greke dhe atë bullgare që nuk po mund ta gjejnë veten pas 15 apo 20 vitesh. Kaq e vështirë është të rinovosh veten, por Shqipëria e bëri shumë shpejt këtë me një punë të jashtëzakonshme,”-deklaroi Elez Gjoza, president i FSHP.
Federata turke lavdëroi organizimin në Durrës, por kishte edhe një vërejtje.
“Federata shqiptare ka bërë një organizim të shkëlqyer të kampionatit evropian, ndërsa e vetmja mangësi sipas meje është numri jo i madh që e ndjekin në shkallët e pallatit të sportit,”-tha Talat Unlu, president i federatës turke.
Kampionati evropian për moshat deri në 23 vjeç në Durrës do të zgjasi deri më 4 nëntor.