Gjatë ditës së sotme, kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike që ndodheshin në zonën e sektorit janë zhvendosur pranë fshatit Vrinas, në një hapësirë tjetër. Një ndër arsyet duket se kanë qenë edhe kërkesat e banorëve të asaj zone për largimin e tyre.
Në verën e vitit 2024 një sasi prej 102 konteinerësh të nisur nga porti i Durrësit bënë xhiron e botës pasi i kthyen mbrapsht nga Malajzia në Durrës për shkak të një denoncimi se ato po transportonin 2100 tonë mbetje të dyshuara të rrezikshme. Konteinerët mbërritën në portin e Durrësit në fund të muajit tetor 2024. Prej andej ata u dislokuan në një mjedis privat në zonën e Porto Romanos ku ruhej nonstop nga forcat e rendit dhe të survejuara me kamera sigurie.
Mbi një vit pas sekuestrimit, Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 udhërarreste për përgjegjësit, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Nga 33 urdhërarrestet që u lëshuan, vetëm 20 prej tyre u ekzekutuan. Më 6 shkurt, gjykata la në qeli vetëm 8 prej të arrestuarve, 5 u lanë në arrest shtëpie dhe 7 të tjerëve iu caktua masa detyrim paraqitje.
Këto mbetje kanë dalë nga furrat e çelikut të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, që administrohet nga kompania KURUM. Ato transportoheshin drejt Malajzisë nga kompania “Sokolaj” por alarmi i dhënë nga organizata mjedisore “Basel Action Netëork” bëri që sasia prej 2,100 ton mbetje, të dyshuara të rrezikshme, të kthehet në portin e Durresit në tetor 2024.
Ngjarja shkaktoi mjaft debate mbi përgjegjësinë e institucioneve ndaj konteinerët u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë së Durrësit dhe u depozituan në Porto Romano. Këtu ruhen prej një viti nga policia dhe zona monitorohet me kamera.
Burimet e prokurorisë thanë se çështja eshte regjistruar si hetim penal për kontrabandë me mallra të ndaluara, transport i mbetjeve të rrezikshme dhe shpërdorim detyre. Vonesa, sipas tyre, ka ardhur për shkak se nuk kanë gjetur në Shqipëri një laborator që plotësonte standardet ndërkombëtare.
Me përgjigjen e analizave që do të vijë nga Italia, organi i akuzës do të ketë të dhëna të sakta mbi përbërjen kimike të tonelatave me mbetje, përfshirë praninë e metaleve të rënda dhe substancave organike të rrezikshme, si dioksinat. Rezultatet do të jenë kyçe për të përcaktuar përgjegjësitë penale ndaj individëve, institucioneve dhe kompanive të përfshira në këtë ngjarje.