DURRES- “Gruaja me sirtarë”, me tekst të Anisa Markarian dhe interpretim të fuqishëm të Mimoza Marjanakut solli në skenën e Durrësit një nga realitetet më të errëta të shoqërisë shqiptare, atë të dhunës ndaj grave dhe vajzave por edhe heshtjen e gjatë që e shoqëron.
Përmes rrëfimit të Vesës, një grua që kërkon ndihmë te psikologu për të zbërthyer plagët e jetës, shfaqja zbulon ciklin e dhunës që nis në fëmijëri, vijon në martesë dhe trashëgohet nga një brez në tjetrin. Drama prek tema si martesa me shkuesi, presioni për të pasur fëmijë, fajësimi i viktimës, kontrolli, nënshtrimi, tradhtia, dhuna seksuale dhe sindroma e Stokholmit, fenomeni kur viktima nis të justifikojë abuzuesin.
Skena, kostumografia dhe muzika në “Gruaja me sirtarë” janë ndërtuar me një minimalizëm të goditur që e rrit peshën emocionale të dramës, duke krijuar një mjedis të zymtë, të zhveshur nga zbukurimet, ku çdo objekt ka funksion simbolik dhe shërben për të hapur “sirtarët” e traumave.
Me skena të ngarkuara emocionalisht dhe me momente tronditëse, vepra hedh dritë mbi dhimbjen e fshehur të shumë grave që heshtin për vite të tëra, ndërsa shoqëria shpesh zgjedh të mos shohë.
Drama u dha premierë mbrëmjen e së hënës per publikun durrësak dhe do të shfaqet serish mbremjen e se martes, me rastin e 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Vajzave dhe Grave.