Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka finalizuar operacionin e koduar “Kalibri”, në kuadër të kontrolleve të shtuara për identifikimin dhe ndalimin e personave që posedojnë apo tregtojnë armë zjarri në mënyrë të paligjshme, duke përbërë rrezik për sigurinë publike.
Gjatë këtij operacioni janë goditur dy raste të veçanta të armëmbajtjes pa leje, ku në total janë sekuestruar dy armë zjarri, një granatë, tre krehra armësh, një sasi e madhe fishekësh luftarakë, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.
Në pranga janë vënë tre shtetas. Dy prej tyre, L. D. dhe A. M., banues në Lezhë, u kapën në hyrje të qytetit të Durrësit duke lëvizur me automjet, pasi dyshohej se po tentonin të shisnin një armë zjarri pistoletë së bashku me dy krehra dhe municion. Gjatë kontrollit, arma dhe fishekët u gjetën në çantën e pasagjerit L. D., tek i cili u zbulua gjithashtu edhe një sasi e vogël kanabisi.
Rasti i dytë lidhet me shtetasin D. T., në banesën e të cilit në fshatin Shtrazë të Shijakut u gjetën një automatik kallashnikov, një granatë defensive me ndezës të montuar, një krehër arme dhe një numër i madh fishekësh, të cilat mbaheshin pa leje.
Materialet e mbledhura janë referuar në Prokurorinë e Durrësit për vijimin e procedurave ligjore.