Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka shpallur konkurs për pranimin e infermierëve. Por pas publikimit të rezultatit të testit me shkrim, kandidatët kanë shfaqur pakënaqësi, lidhur me këtë proces. Ata kanë dyshime që në këtë konkurs, ka shumë parregullsi e dallavere.
Në rezultatet të cilat u publikuan të dielen- ditë pushimi, është ngatërruar data e mbajtjes së testit me shkrim si dhe emri i spitalit.
Data e mbajtjes së testit, në dokument është shënuar 07.08.2025, ndërsa testi në realitet është mbajtur më 05.08.2025.
E huqje ka pasur dhe tek emri i spitalit. Vendndodhja e mbajtjes së testit në dokument është shënuar Spitali i Përgjithshëm në Prizren, ndërsa testi është mbajtur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
E pasaktësi ka pasur dhe sa i përket datës së publikimit të rezultateve. Në dokument është shënuar 08.08.2025, ndërsa rezultatet në realitet janë publikuar më 10.08.2025, në diten e diel, që është ditë pushimi.
E kandidatët e pakënaqur me procesin në fjalë, u drejtuan në Spitalin e Pejës për tu ankuar, por se ankesat e tyre nuk u pranuan.
“ Sa i përket ankesave as në këtë rast nuk është respektuar ligji. Sepse nuk u është dhënë afati tre ditor për ankesa aplikantëve. Kandidatët po dërgojnë ankesa në Spitalin e Pejës, por nuk po ua pranojnë me i protokollu, nuk po e lejojnë as të drejtën për ankesë, duke iu thënë që ankesat t’i dërgojnë përmes e-mailit. Kjo është shkelje e ligjit dhe se janë detyruar që ankesat e tyre t’i adresojnë vetëm përmes e-mailave në SHSKUK”, tha ai.
E ata kanë ankesa dhe sa i përket rënditjes së pikëve të testit, ku pikët nuk janë rënditur siç duhet.
“Kandidatët janë të pakënaqur me mënyrën se si ka shkuar procesi i testimit dhe publikimi i rezultatetve. Të gjitha këto, ngatërrimi i datës së mbajtjes së testit si dhe ngatërrimi i emrit të spitalit, ku në vend të Spitali i Pejës shkruan që testi është mbajtur në Spitalin e Prizrenit, i kanë thelluar bindjet tona për dallavere në këtë proces”, tha njëri nga aplikantët i cili deshi të mbetet anonim.
Ndërkaq dyshojnë se kandidatët që e kaluan testin, janë familjarë të njerëzve të cilët mbajnë pozita të larta, udhëheqëse në Spitalin e Pejës.
“ Ne dyshojmë se ka kandidatë që e kanë kaluar testin, vetëm pse janë familjarë të njerëzve me pozita udheheqëse në Spitalin e Pejës. Ne i dijmë me emra e mbiemra”, tha ai.
“Indeksonline” ka kontaktuar drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës Fahri Hasanin, për të marrë një përgjigjje lidhur me ankesat e aplikantëve, të cilët pretendojnë për dallavere në këtë konkurs. Por drejtori Hasani i tha “Indeksonline”, se gjendet në pushim.
Ndryshe, konkursi është shpallur për 7 pozita për infermier Bachelor; ndërkaq kanë kandiduar 91 konkurrentë, ndërsa vetëm 8 kandidatë kanë kaluar testin me shkrim.
Për infermierë me shkollë të mesme, janë shpallur katër pozita, ndërkaq kanë konkurruar 48 persona. Ndërsa vetëm 5 prej tyre e kanë kaluar testin me shkrim

