Tre të mitur janë gjetur sot të braktisur nga e ëma në banesën e tyre në Durrës. Policia njofton se ka qenë ish-vjehrra e nënës së fëmijëve që ka njoftuar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte.
Nëna 33-vjeçare, e divorcuar, është shoqëruar në polici dhe është vënë nën hetim nga blutë për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Burime nga policia bëjnë me dije se shkaku i braktisjes së 3 fëmijëve nga nëna e tyre 33-vjeçare është një konflikt mes kësaj të fundit dhe gjyshes së të miturve nga ana e babait, e cila ka kërkuar t’i marrë në kujdestari.
Nëna 33-vjeçare thotë se “ky është kurth nga ish-vjehrra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bëj këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijët të flasin keq kundër meje. Nuk e di, por kjo është e patolerueshme: si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do t’i mbroj fëmijët, se babai i fëmijëve ka qenë në burg në Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijët 180 mijë lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj?”
Sipas burimeve, fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim dhe prej një muaji nuk kishin ndjekur shkollën. Ata janë gjetur të mbuluar me batanije për shkak të të ftohtit, ndërsa banesa ishte në gjendje të rëndë rrëmuje, me rroba të shpërndara në dysheme.
Fëmijët i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe janë konstatuar me probleme shëndetësore të lidhura me gjendjen e braktisjes. Aktualisht ata janë marrë nën kujdesin e organeve përkatëse.
Bëhet e ditur se pallati ku ndodhej banesa ka qenë i përmbytur gjatë reshjeve të ditëve të fundit dhe për tre ditë fëmijët kanë qenë të izoluar për shkak të ujit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.