Një ngjarje që mund të kishte rezultuar fatale është regjistruar në zonën e Lungomares, ku një qen i racës ‘pitbull’ sulmoi dhe kafshoi një fëmijë rreth 4 vjeç. Fëmija është dërguar me urgjencë në spital, pasi ka marrë plagë të rënda në kokë.
Në momentin e sulmit, vajza 4-vjeçare ndodhej nën kujdesin e gjyshërve.
“Kishim dalë buzë detit, e kisha vajzën përdore. E pashë qenin, bëri sikur iku dhe më pas erdhi dhe iu hodh vajzës”, tha gjyshja e vogëlushes.
Një nga punëtorët që ndodhej pranë, Sejko Veliu, ka ndërhyrë për të shpëtuar vajzën e vogël dhe ka rrëfyer momentet e ngjarjes, duke treguar se si reagoi për të neutralizuar qenin.
“Vajza ishte me gjyshin dhe gjyshen. Erdhi qeni dhe e mbërtheu në kokë. E kapa qenin dhe e lidha me zinxhir. Fëmija ishte nja 4-vjeçe, erdhi ambulanca dhe e dërguan në spital”, tha Sejko Veliu.
“Vlorë/Informacion paraprak-Rreth orës 13:20, në lagjen “Pavarësia”, një kafshë shtëpiake (qen i racës Pitbull) ka sulmuar një fëmijë 4 vjeç, i cili ishte i shoqëruar nga familjarët e tij. Fëmija u dërgua në spital për mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.