Një histori njerëzore e rrallë dhe prekëse vjen nga Çorovoda, qyteti i vogël që dikur jetonte me ritmin e futbollit, por që sot po përpiqet ta mbajë atë gjallë falë dashurisë së pashtershme të njerëzve si Klodian Beqollari. Portieri 47-vjeçar është shembulli më i bukur i përkushtimit dhe pasionit për sportin, duke ndarë ditën mes punës si mirëmbajtës i fushës dhe stërvitjeve me skuadrën e Skraparit.
Futbolli është po aq i rëndësishëm për jetën e një qyteti të vogël si Çorovoda, sa edhe një pasion për brezin e ri, që e konsideron herë si argëtim të vetëm dhe herë si detyrim për të ndjekur ecurinë e një tradite të njohur. Një traditë që ka bërë historinë e një skuadre, e cila në dy epoka dhe sisteme të ndryshme politike ka qenë një forcë e njohur e futbollit shqiptar, si në Kategorinë e Dytë, ashtu edhe në Kategorinë e Parë me formulën aktuale të organizimit. Madje, 15 vite më parë, ajo ishte ndër skuadrat pretendente për t’u ngjitur në Superiore, falë një investimi të fuqishëm dhe përbërjes cilësore me emra të njohur të futbollit shqiptar të asaj kohe.
Para viteve ’90, kur skuadra njihej me emrin “5 Shtatori”, emra të njohur nga Çorovoda si ikonat Muharem Baze, Bregu, Bega, Zylyftari, Musai, Hasanago, Basha, Çeço e dhjetëra të tjerë, të ndarë tashmë nga jeta, por të respektuar e të paharruar, kanë mbetur pjesë e historisë së këtij ekipi. Po ashtu, edhe ata të ardhur nga Berati si Dyli, Mile, Bitri, Hoxha etj, pa lënë mënjanë emra legjendarë që për arsye biografie u dërguan drejt “5 Shtatorit”, si P. Ndoja, G. Kasmi e të tjerë. Pas ndryshimit të sistemit, skuadra mori emrin SKRAPARI, duke nisur një epokë të re. Falë sponsorizimit të biznesmenëve të njohur dhe të respektuar vendas si Vladimir Metani dhe Hysen Caka, si dhe me në krye ish-futbollistin dhe trajnerin legjendar Luftar Guri, që më pas u pasua nga trajnerë si Y. Shehu, E. Dalipi, Patushi etj, skuadra përfshinte disa prej futbollistëve më të mirë të asaj kohe, veçanërisht sulmues të spikatur e goleadorë të njohur.
Për fat të keq të atyre brezave që bënë historinë, realiteti sot është krejt ndryshe. Shpopullimi i qytetit, me shumë banorë që largohen drejt metropolit, dhe të rinjtë që pas përfundimit të arsimit të mesëm zgjedhin Tiranën ose emigracionin, kanë lënë bosh vendin. Mungesa e investimeve në ekipin e parë dhe në moshat ka bërë që futbolli në Çorovodë të bjerë në pikiatë, duke kaluar nga Kategoria e Parë në Kategorinë e Tretë, ku ndodhet prej katër sezonesh, renditur në vendet e fundit të tabelës. Skuadra sot luan më shumë për të ruajtur gjallë emrin dhe traditën, sesa për objektiva sportive, sepse më poshtë se Kategoria e Tretë nuk ka ku të shkojë. Kjo është një situatë e trishtë për një qytet që dikur kishte një nga ekipet më konkurruese të futbollit shqiptar të niveleve të dyta.
KLODIAN BEQOLLARI, PERSONAZHI MIDIS DY BREZAVE
Personazhi ynë në këtë histori është Klodian Beqollari, portieri veteran që i afrohet moshës 47-vjeçare dhe i përket dy brezave të futbollit çorovodas, atij të “5 Shtatorit”, ku hodhi hapat e parë si fëmijë, dhe brezit të Skraparit, ku kaloi rininë dhe tashmë po përmbyll karrierën. Klodiani prej disa vitesh punon si punëtor mirëmbajtjeje i fushës sportive të qytetit. Paradite kujdeset për fushën dhe bazën materiale të skuadrës së parë dhe të moshave, ndërsa pasdite stërvitet si futbollist. Në fund të ditës, sërish është ai që sistematizon bazën materiale.
Në rrëfimin e dhënë për “Panorama Sport”, Beqollari flet me sinqeritet për arsyet që e mbajnë ende në fushë në këtë moshë: “Për mua futbolli është më shumë se një pasion, është e gjithë jeta ime. E nisa me një trajner të madh e legjendë si Muharrem Baze dhe vijova me shumë emra të respektuar në etapa të ndryshme të jetës. Qysh fëmijë ëndërroja të bëhesha një portier i madh, si Bregu, Bega apo Gjerua. Nuk arrita dot në lartësinë e tyre, por jam i lumtur që me modesti i kam shërbyer Skraparit sa herë më është besuar porta, kryesisht në Kategorinë e Dytë. Tani jam pothuaj 47 vjeç dhe të gjithë më pyesin pse vazhdoj të luaj. Jam i sinqertë, luaj sepse e dua futbollin, sepse kam ende parametrat fizikë të qëndrueshëm dhe sepse në qytetin e Çorovodës mungojnë të rinjtë që merren me futboll. Askush nuk do të bëhet portier. Kjo është për të ardhur keq për një qytet si yni, që dikur kishte një nga skuadrat më të forta të Kategorisë së Dytë dhe më vonë shkëlqeu edhe në të Parën me investimet që u bënë.”
“TË MBAJMË GJALLË NJË TRADITË”
Pas vdekjes së trajnerit të njohur Berti Spahiu, Beqollari tregon se, së bashku me sekretarin dhe ish-futbollistin e njohur Genci Lamçe, si dhe trajnerin e ri Bledi Petritaj, po përpiqen të mbajnë gjallë futbollin në qytet edhe në këto kushte të vështira. “E bëjmë këtë si detyrë qytetare dhe si njerëz që e duam futbollin. Nuk mund ta lejojmë të shuhet. Sigurisht, nuk mund të mos përmend mbështetjen financiare të kryebashkiakut Adriatik Mema, i cili mbulon shpenzimet vjetore të kampionatit. Pa ndihmën e tij, nuk do të mund të merrnim pjesë. “Dypunësimi”? Puna e dyfishtë si mirëmbajtës dhe futbollist është e lodhshme, por nuk kam çfarë të bëj tjetër. Duhet të vazhdoj të stërvitem e të luaj, sepse nuk ka kush tjetër. Sa të kem forcë, do të jem në fushë për të mbajtur gjallë emrin e Skraparit”, u shpreh 47-vjeçari. Ky është Klodian Beqollari, portieri që nuk dorëzohet. Një simbol i dashurisë për futbollin, i përkushtimit ndaj qytetit të tij dhe i qëndresës përballë kohëve të vështira. Një histori që e bën Çorovodën të ndihet sërish krenare për bijtë e saj.