Një foto e madhe e stampuar nga aktiviteti i “Flota Kuqezi” në stadium, kishte zënë një faqe të murit. Më tej ishte e shkruar: Krenari, pasion, dashuri. Trajneri i ri i Flamurtarit, Françesco Moriero u shfaq përkrahë ndihmësit të tij, që ka sjellë me vete një emri të njohur të futbollit italian si Mixhiani që ka drejtuar si pjesë e stafit teknik të Salernitana dhe Torino dhe që tashmë do të jetë zv/trajner i vlonjatëve, duke pasur edhe rolin e përgatitësit atletik. Trajneri italian Moriero ishte ulur përkrah administratorit Sinan Idrizi.
Pranë tyre edhe një nga emrat e futbollit vlonjat si Kreshnik Çipi. Pjesë e ceremonisë edhe dy zv.trajnerët shqiptarë Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj, si dhe përgatitësi i portierëve Luan Birçe. I pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm Alfred Ferko, ndërsa mungonte drejtori Artim Pollozhani. Administratori Sinan Idrizi mban në dorë tespie, por të njëjtën gjë bën edhe kapiteni. Edhe Lorenc Trashi shfaqet me tespie në dorë. Ujë dhe pije freskuese. Kjo është ajo çfarë konsumojnë lojtarët dhe stafi teknik.
Trajneri Moriero nuk pi alkool por troket gotën vetëm me ujë. Ndihmësi i tij italian Mixhiani konsumon lëng portokalli. Në festën nuk munguan as batutat. Zv/trajneri Lejdi Liçaj që njihet për batutat e tij, teksa shikon se po filmohet i drejtohet Idriz Bathës duke i thënë: “Do sulmojmë nga shtylla. Andej marrim krahun këtej nga Batha”. Lojtarë vendës dhe të huaj u bën bashkë. Ndërsa kapiteni Trashi kërkon të bëjë foto i përqafuar me Bathën. Bashkë me ta edhe Denis Pjeshka, Valentino Murataj dhe Idriz Batha. Moment emocionues ishte prerja e tortës nga anëtarët e tifozëve ultras dhe djali i Sinan Idrizit, Ensari. “Nëpër borë dhe nëpër shi është Flota Kuqezi, çdo stadium kënga jehon, Flamurtari jonë kampion”. Këto ishin disa nga vargjet e kënduara live dhe më pas brohoritjet “Flamurtari, Flamurtari”.
FJALIMI – Drejtori i Bordit për marrëdhëniet e klubit me institucionet, Rinald Bezhani mbajti edhe fjalimin. Ai theksoi se të gjithë kanë besim që stafi i ri teknik me në krye trajnerit Moriero do ta çojnë Flamurtarin përpara drejt suksesit të madh. “Gjaku kuqezi fillon të rrjedhë në atë që quhet bizhuja më e re e ansamblit modern Flamurtari.
“Flota Kuqezi” është më në fund në shtëpinë e vetë. Ne respektojmë stafin e ri italian, ata që do të çojnë më përpara drejt suksesit të madh dhe të merituar Flamurtarin. Bashkë me ndihmësin e tij italian një personalitet i shquar i futbollit dhe bashkë me këtë ansambël futbollistësh të shkëlqyer, 25 lojtarëve njëri me i mirë se tjetri që do ta kishte zili çdo klub në Shqipëri, do jetë ajo që është krenaria.
Ndoshta për nga investimi më i madh privat që nga koha e Ismail Qemalit deri më sot. Futbollistët e Vlorës luajnë në një stadium që mbahet me simotrat e saj mesdhetare, ndoshta pas “Qemal Stafës”, stadiumi më i mirë dhe më i bukur i Shqipërisë. Jeni ju që do të çoni përpara, përtej jetëve, përtej qiejve emrin e madh të Flamurtarit. Ta gëzojmë këtë ambientet të shkëlqyer që u afrohet shërbimeve VIP në tribunën qendrore, atë që tifozët e tribunës C dhe gjithë stadiumit do ta shijojnë në pushim, para dhe pas ndeshjes”, përfundon Bezhani.