Ironi e fatit, në 12 maj, ditën që Egnatia u shpall kampione e Shqipërisë, ekipit rrogozhinas i ka ndodhur edhe një e keqe. Skuadrës kampione në fuqi i është mbyllur merkatoja e lojtarëve.
Ekipit ky problem i është regjistruar në 12 maj, ndërsa kampionët, nëse nuk paguajnë, do të vuajnë tri sesione transferimesh. Në fakt, kjo është hera e parë që Egnatias i ndodh një gjë e tillë në epokën “Demrozi”. Asnjëherë tjetër, rrogozhinasit nuk kanë vuajtur për problemet me FIFA-n.
Veç Egnatias, në Superiore me merkato të bllokuar është edhe Tirana. Bardheblutë janë penalizuar nga dy lojtarë, por për ta pret puna, ndërsa për rrogozhinasit gjërat duhet të bëhen shpejt.
Situata më kritike është në Kategorinë e Parë, ku tri klube rezultojnë me merkato të bllokuar nga FIFA, për shkak të detyrimeve të papaguara, kryesisht ndaj lojtarëve. Kukësi e ka penalizimin më të rëndë, pasi bllokimi i merkatos është pa fat, pasi e ka si detyrim që të shlyejë të gjitha pagesat e prapambetura, duke qenë përsëritës në sistemin e FIFA-s.
Hallet e Kategorisë së Parë i kanë shtuar dy klube që do të militojnë në këtë nivel në sezonin 2025-2026. Pikërisht bëhet fjalë për Laçin, që ka zbritur nga Superiorja në Kategorinë e Parë, si dhe AF Luftëtari, që siguroi ngjitjen nga Kategoria e Dytë.