Egnatia është padyshim surpriza e futbollit shqiptar në pesë vitet e fundit. Rrogozhina fitoi kampionatin e Kategorisë së Parë në vitin 2021, por pakkush do ta besonte se ishte vetëm fillimi i projektit, që do të numëronte dy tituj kampionë në elitë për pak kohë. Më saktë, i pari që ka ëndërruar dhe ka punuar për këtë projekt është vetë Agim Demrozi.
RRUGËTIMI – “Këto rezultate vijnë falë një punë të palodhshme që kemi bërë gjatë këtyre 5 viteve. Kemi punuar në tri fronte, ndërtimin e strukturave të klubit, kompleksin sportiv, stadiumin dhe hotelin ku grumbullohen lojtarët. Sa i përket që Egnatia është me mua në krye, kemi marrë frytet e një pune të palodhshme nga unë si president deri te pjesëtari i fundit i Egnatias. Për këtë jam shumë mirënjohës për secilin person që ka kontribuar për këtë realitet”, tha në fillim ai.
Thuhet se të mbrosh titullin kampion është më e vështirë se ta fitosh. Nuk pati vlerë për Egnatian, që e bëri gjithçka të dukej e lehtë duke mposhtur 4-0 Vllazninë në finale. Kjo tregon edhe se pavarësisht lëvizjeve në merkato, grupi aktual i kampionëve është më i miri. Si e menaxhoi Egnatia merkaton, për t’u shpallur sërish kampion. “Sa i përket merkatos, Egnatia ruajti 80% të grupit dhe i gjithë suksesi ishte ai bashkë me trajnerin që ka 3 vite që është pjesë e jona”, deklaroi presidenti.
RINOVIMET – Katër lojtarë pa kontratë, të shpallur kampionë në dy sezone radhazi, mund të dukeshin si shqetësimi i vetëm për trajnerin Tetova në përfundim të sezonit. Aleksi, Zejnullai, Malota dhe Ndreca pa kontratë. Po a do të ketë rinovime? Presidenti Demrozi ndërkohë jep sërish garanci për trajnerin e kampionëve. “Do të kemi rinovime, të katër lojtarët e përmendur kanë qenë një pjesë e rëndësishme për arritjen e suksesit”, vazhdoi më tej.
MERKATO – Transferimi i parë që qarkullon në kampin e kampionëve është Kastriot Selmani. Ky i fundit i shpallur kampion me Dritën në Kosovë. Sulmuesi i krahut të djathtë do të zyrtarizohej me kosto zero, pasi kontrata e 25-vjeçarit përfundon me fundin e këtij sezoni. “Po, Selmani do të jetë përforcimi ynë i parë në sezonin e ardhshëm”, konfirmoi më tej presidenti i Egnatias.
GRUPET – Vetëm një arritje u mungon kampionëve të Shqipërisë, që po shkruajnë historinë. Bëhet fjalë për Europën. Egnatia shfaq potencial real, për të rikthyer Shqipërinë në kompeticionet më të rëndësishme. Përpara është rrugëtimi në Europë, deri ku do të shkojë Egnatia… “Dëshira jonë është e madhe për të kapur grupet dhe unë kam shumë besim tek ekipi im”, pranoi ai.
Thirrjet në kor nga tifozët e Egnatias për presidentin e tyre, ndërsa zhvillohej finalja me Vllazninë, ishin unike. Askush nga presidentët e tjerë të Superiores nuk e ka aktualisht këtë besim nga lojtari i 12-të. Kjo, pasi edhe premtimet janë kthyer në realitet. Pjesë e suksesit është arritja për të pasur në harmoni të gjithë komponentët që duhet të ketë një klub futbolli. “Është një kënaqësi e madhe për mua që tifozët e vlerësojnë punën time si president i Egnatias. Gjej rastin t’i falënderoj nga zemra për kontributin dhe mbështetjen e palodhshme që bëjnë çdo javë duke ndjekur ekipin e zemrës. I jap fjalën që udhëtimi ynë sapo ka filluar, do të kemi ëndrra të tjera për të realizuar bashkë”, mbylli presidenti i Egnatias.