Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna e infermiereve të qendrës shëndetësore nr.9 në Tiranë.
“Vaksina shpëton jetë. Në këtë periudhë të gripit sezonal, ekipet tona mjekësore janë çdo ditë në terren, duke ofruar vaksinën antigrip falas në banesë për pacientët kronikë që nuk kanë mundësi të paraqiten në qendrat shëndetësore. Shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë”, thekson MSHMS.
“Në pamundësi që të moshuarit të vijnë në ambulancë, erdhëm ne në banesë dhe u bëmë vaksinën e gripit, Pacientët janë me hipertension dhe diabet”, tha Eriseida Brisku, infermiere pranë qendrës shëndetësore nr.9.
Fushata e vaksinimit ka nisur më 22 shtator 2025 dhe gjatë javës së parë në NJVKSH Tiranë janë vaksinuar 6 600 qytetarë sipas sistemit elektronik të vaksinimit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 280 mijë doza të kësaj vaksine, që janë shpërndarë tashmë në të gjitha qendrat shëndetësore në vend.
Vaksina antigrip është domosdoshmëri sidomos për grupet prioritare ku bëjnë pjesë punonjësit shëndetësorë, persona me sëmundje kronike (kardiovaskulare, pulmonare, diabet, astmë, sëmundje të mëlçisë apo veshkave, tumore/kancer), personat mbi 65 vjeç, banorët dhe personeli i institucioneve të kujdesit afatgjatë, personat obezë, personat me imunitet të kompromentuar, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muajsh, sidomos ata me sëmundje bashkëshoqëruese, mësuesit dhe edukatorët, personeli i ushtrisë dhe forcave të rendit.