Sali Berisha gënjeu komunitetin ndërkombëtar kur deklaroi se qeveria shqiptare kishte dhënë 138 licencë për kanabis para fushatës elektorale. Jo vetëm që nuk është dhënë asnjë licencë por procesi nuk ka nisur fare. Ndryshe nga siç Berisha pretendon 138 janë vetëm zonat kadastrale ku mund të kultivohet kanabisi industrial, që s’ka asnjë lidhje me bimën psikotrope.
“Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Evropë. Zoti Kryeministër i Shqipërisë dha 138 licenca për kultivim droge. Nëse ligji lejon kultivimin për qëllime mjekësore në vetëm 200 hektarë, këtë herë ai dha 29,000 hektarë – një shifër që përkthehet në më shumë se 100 milionë rrënjë kanabis. Një rrënjë ka vlerë nga 500 deri në 1,000 euro”
Me këtë deklaratë të 3 qershorit të kaluar, Sali Berisha i habiti jo pak anëtarët e Asamblesë së Partive Popullore Evropiane, pjesa dërrmuese e të cilëve mbështetës të integrimit evropian të vendit, ndërsa në Tiranë solli reagime të ashpra, se si kryetari i opozitës e nxin imazhin e vendit në gjuhën anglezë në botë.
Akuzat, të cilat janë përsëritur me dhjetëra herë të tjera në Tiranë dhe në takime të ndryshme me ndërkombëtarë nga përfaqësues të opozitës shqiptare, janë totalisht të pavërteta. Në një përgjigje zyrtare kërkesës për informacion të Report Tv, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it në vend thotë se jo vetëm që nuk ka asnjë licencë të dhënë për kultivim kanabisi por procesi as ka nisur fare.
Berisha vijon akuzat për 11 Majin: Beteja jonë do të jetë e gjithanshme! Zgjedhjet e pjesshme në disa bashki? Farsa elektorale e radhës
“Licencat apo lejet për kultivim të cannabisit mjekësor apo industrial jepen mbi bazën e aplikimit në momentin e hapjes së këtij procesi, si dhe mbi plotësimin e kushteve dhe kritereve të përcaktuar në kuadrin ligjor në fuqi. Ju bëjmë me dije se ky proces nuk është hapur ende”
Agjencia i përgjigjet prerë: “Procesi i dhënies së lejeve dhe licencave nuk ka filluar ende dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë aplikim”
Përgjigja për Report Tv nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it
Pjesën e dytë të deklaratës së Berishës e ka përgënjeshtruar vetë Ministria e Bujqësisë, me propozimin e së cilës u miratua në Këshillin e Ministrave vendimi për zonat kadastrale ku do të kultivohet kanabisi industrial. Ministria e Bujqësisë thotë se jo vetëm që nuk është dhënë asnjë leje por edhe 138 zonat kadastrale të përcaktuara ku mund të mbillet kanabis industrial, të cilave kreu i PD i referohet si licenca, nuk do të thotë se e gjithë sipërfaqja e tyre do të përdoret për këtë qëllim.
“Miratimi i zonave kadastrale për kultivimin e bimës së kanabisit nuk nënkupton që e gjithë sipërfaqja e këtyre zonave do të mbillet me kanabis. Vetëm personat fizikë ose juridikë që përmbushin kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin nr. 61/2023 dhe aktet nënligjore përkatëse, do të kenë të drejtën të aplikojnë për licencë dhe të kultivojnë kanabis për qëllime industriale. Pra, jo çdo sipërfaqe brenda zonës së miratuar do të përdoret për kultivim, por vetëm ato parcela që plotësojnë standardet dhe për të cilat është dhënë leje nga autoritetet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Pra Berisha i tha ndërkombëtarëve se qeveria shqiptare kishte dhënë 138 licenca për kanabisin për mbi 29 mijë metra katrorë, i vetëdijshëm se po mashtronte. 138 licencat e Berishës janë thjesht dhe vetëm zona kadastrale, dhe mbi të gjitha nuk lidhen fare me kanabisin mjekësor, por janë vetëm për kanabisin industrial. Por çfarë është kanabisi industrial?
Kanabisi Industrial, më shpesh i njohur si kërpi industrial ose thjesht kërpi, i referohet varieteteve specifike të Cannabis sativa të kultivuara ekskluzivisht për qëllime industriale dhe komerciale. Ndryshe nga marihuana, e cila përmban nivele të larta të THC-së, kërpi industrial përmban vetëm sasi të papërfillshme të THC-së, e përcaktuar ligjërisht si 0.8% ose më pak. Kjo e bën kërpin një bimë jo-psikotropike me një gamë të gjerë përdorimesh dhe përfitimesh praktike.
Kanabisi ose kërpi industrial përdoret në shumë fusha të prodhimit, kryesisht në tekstile për prodhim të çantave, litarëve apo letrës. Përdoret për materiale ndërtimi, për ushqim për bagëtinë, në kozmetikë është shumë i përdorur etj. Pra, zero lidhje me kanabisin si lëndë psikotrope.
Në vendimin e 6 marsit 2025 të qeverisë shqiptare u përcaktuan 10 zonat kadastrale vetëm për kanabisin industrial të përshtatshme në të gjithë vendin, me 138 parcela gjithsej, ku përjashtohen vende bujqësore si Myzeqeja apo edhe Korça.
Sa i përket kultivimit të kanabisit mjekësor, që Berisha e ‘ngatërron’ qëllimisht’ ligji i miratuar në korrikun e vitit 2023 përcakton kritere shumë të forta kultivimi. Sipas pikave 8 dhe 9 të nenit 14 të ligji parashikohet qartë një sipërfaqe maksimale prej 200 hektarësh në rang kombëtar dhe çdo licence mund të jepet për një sipërfaqe jo më të madhe se 20 Ha.
Firmat që marrin një licencë kanë kritere shumë të forta që duhet të plotësohen. Duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në të paktën 3 nga aktivitetet kryesore, si: prodhimi, kultivimi dhe qarkullimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore, të ketë aktivitet të prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e OECD-së për të paktën 5 vjet; të jetë zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat për të paktën 3 vjet. (Neni 23 i ligjit) Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme. Nëse një pjesë e aktivitetit kalohet të një subjekt tjetër, ndaj këtij subjekti do të ketë kontroll për pastërtinë e figurës. Kalimi i aktivitetit do të duhet të jetë përcaktuar qartë më herët në licencë.
Kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore do të bëhet nën masa të rrepta, vetëm larg zonave të mbrojtura, turistike e ushtarake, me kritere të forta për ambientin, mbikëqyrjen dhe transportin.