Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Kur gjyqtarja kushtetuese, Elsa Toska dha dorëheqjen befas në shtator të vitit të kaluar, pakkush kishte menduar se zëvendësimi i saj do t’i hapte rrugë një krizë institucionale.
Ajo, bashkë me Holta Zaçajn dhe Sonila Bejten ishin tre anëtaret që duhet të zëvendësoheshin brenda vitit 2025, sipas skemës së ripërtëritjes të Gjykatës Kushtetuese.
Organi që e kishte emëruar, Kuvendi, hapi garën për gjyqtarin e ri, duke deklaruar se mandati do të zgjaste deri në vitin 2028.
E vetmja që pretendoi shkelje ishte deputetja Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi të vetëm në Facebook, akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali se po e zgjaste mandatin në fjalë në vitin 2028, kur duhet ta mbyllte në vitin 2025, dhe prishte skemën e rifreskimit me 1/3 e anëtarëve.
Asokohe, askush nuk foli më nga parlamentarët, madje as zonja Tabaku.
Por debati për mandatin e Holta Zaçajt, detyroi gjykatën Kushtetuese të dilte me një vendim i cili përtej rastit të saj njihte dhe skemën e rifreskimit çdo tre vjet me nga 3 anëtarë.
Por në rastin e mandatit të Sonila Bejtes, vendimi i Gjykatës nuk u pa i mjaftueshëm, për kryetaren Zaçaj. Ajo zgjodhi heshtjen, duke detyruar presidentin të ndërhynte, në rolin e organit të emërtesës.
Ndonëse kërkesa e presidentit ishe për deklarimin e përfundimit të mandatit, Gjykata Kushtetuese vendosi ta trajtonte si çështje gjyqësore. Një zgjedhje e kritikuar haptazi nga Gjykata e Lartë, siç dëshmojnë dokumentet e publikuar një ditë më parë nga Report TV.
Ashtu si dhe Gjykatës së Lartë, edhe Kuvendit i është kërkuar opinion nga Gjykata Kushtetuese. Në shkresën që Kuvendi refuzoi ta vinte në dispozicion zyrtarisht, por që u sigurua nga Report TV në rrugë burimore, rezulton se parlamenti ka bërë një hap pas. Aty pranohet se ndoshta kanë gabuar kur vendosën që pasuesi i gjyqtares Elsa Toska do të qëndronte në detyrë deri në vitin 2028. Dhe për këtë kërkojnë interpretim final nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse do t’i referohemi frymës së vendimit nr. 84 të Gjykatës Kushtetuese, i dalë pas shpalljes së vakancës nga Kuvendi, në përllogaritjet e afatit të fillimit të mandatit të zonjës Toska, prezumohet megjithëse jo në mënyrë taksative se duhet të ishte përfshirë edhe koha e vonesës në përzgjedhjen e zonjës Toska, pra periudha nga data 25.04.2016 deri më datën e betimit pranë Presidentit. Në këtë kontekst, vlerësojmë si një verë të shtuar konsiderimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të nevojës ose jo për rishpalljen e vakancës nga Kuvendit”,-thuhet në shkresën e Kuvendit.
Në përfundim, Parlamenti vlerëson nevojën për plotësime, sqarime dhe interpretim përfundimtar nga Gjykata lidhur me këtë moment.